Besim Haxhiu, drejtor i Administratës në “Trepçë”

Si ndodhi sulmi fizik ndaj drejtorit të Administratës në “Trepçë”?

Të hënën paradite, një grup njerëzish u fut në zyrat e Administratës të “Trepçës” në mënyrë demonstrative.

Ata sulmuan ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe Besim Haxhiu, drejtor i Administratës.

Në një intervistë për “Kallxo Përnime”, Haxhiu ka treguar për momentet kur edhe është sulmuar nga disa persona.

“Sot (e hënë) në orën 10:00 ka ndodhur një eksces derisa pritej të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryeshefit. Janë ardhur protestuesit, fillimisht e kanë sulmuar kryeshefin e në këtë rast edhe mua. Sulmi ka ndodhur me grushte me shqelma, si më kanë pa në korridor m’u kanë vërsulur”, ka thënë Haxhiu.

“Policia kanë qenë këtu edhe ata janë lënduar sepse protestuesit kanë qenë shumë, 50-60 vetë. Në këtë sulm kanë marrë pjesë edhe njerëzit e sigurimit. Kjo nuk do koment”, thotë ai.

Besim Haxhiu ka treguar edhe për lëndimet që ka marrë gjatë sulimit që iu bë në vendin e punës.

“Kam marrë lëndime në qafë, kokë, diku 20-30 veta m’u kanë gjujtë duke më goditur…”, ka thënë ai.

Besim Haxhiu, drejtor i Administratës në “Trepçë”

Drejtori i Administratës në “Trepçë” ka thënë se gjithë rasti ka qenë i organizuar.