Foto: Ilustrim

Importimi i energjisë mbi 1 milion euro në ditë, deklarohet ZRRE-ja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka thënë se aktualisht KEK-u është duke prodhuar rreth 600 megavat energji elektrike në orë, duke qenë nën konsumin e energjisë, i cili është mesatarisht 1001 megavat në orë.

Më 7 dhjetor 2023, KEDS dhe KESCO thanë se janë duke importuar mbi 1 milion euro energji elektrike në ditë, si pasojë e rritjes së konsumit dhe prodhimit jo të mjaftueshëm të energjisë në vend, duke thënë se KEK është duke prodhuar minus 120 megavat në orë.

Sipas ZRRE-së, konsumi ndryshon nga ora në orë, ndërsa më 6 dhjetor KEK ka operuar me tri njësi, A3, B1 dhe B2.

A3 ka prodhuar 116 megavat, ndërsa prodhimi i B1 dhe B2 ka qenë 484 megavat për orë. Sipas ZRRE-së, prodhimi total i energjisë elektrike në Kosovë, duke përfshirë edhe hidrocentralin në Ujman dhe gjeneratorëve të tjerë, ka qenë 685 megavat në orë në total.

“Diferenca në mes të konsumit dhe prodhimit ka qenë 316 MWH” – kanë thënë nga ZRRE për KALLXO.com.

Sipas tyre, çmimin me të cilin KESCO blerë energji nga KEK për mbulimin e shërbimit universal është 29.5 euro për megavat, ndërsa çmimi me të cilin KEDS blen nga KEK për mbulimin e humbjeve është 36 euro për megavat në orë.

Në anën tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka reaguar ndaj kompanive KEDS dhe KESCO, duke thënë se këto kompani po fajësojnë KEK-un për përgjegjësitë që i takojnë atyre.

Më 7 dhjetor, përmes një komunikate për media, KEK ka thënë se sipas marrëveshjes obligimi i KEK-ut është vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike.

Kurse vitin e kaluar, çmimi mesatar i rrymës për kategorinë e konsumatorëve familjarë ka shkuar në 6.14 euro për kilovat – nga 5.60 euro sa ka qenë në vitin 2021.

Ndërsa, për konsumatorët jofamiljarë, çmimi mesatar i rrymës në vitin 2021 ka qenë 8.39 euro, për të shkuar në 9.27 euro në vitin 2022.

Në prill të këtij viti, çmimi është rritur sërish – për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

KEDS dhe KESCO po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë