IKShPK pranon 13 mijë kite për testim të Covid-19

Tre afaristët shqiptarë të cilët veprojnë në Gjermani dhurojnë 15 mijë kite për testime të COVID-19.

Ecolog, Eurokoha dhe AWR Abbruch dhurojnë kite për testim të coronavirusit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

13 mijë kite për testim janë donacion për Kosovën, dy mijë për Maqedonin e Veriut dhe një mijë për Preshevën, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Falënderues për këtë u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku tha se ky donacion është përkrahje e madhe për Kosovën.

“Lazim Destani – Ecolog, Remzi Ejupi- Eurokoha dhe Nazim Viqa – AWR Abbruch i dorëzuan IKShPK-së një donacion me 15 mijë kite për teste të Covid-19, të cilat do të ndihmojnë procesin e testimeve kundër virusit Corona në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, Ministri, u shpreh falënderues edhe për stafin e IKShPK-së.

“Sot kam kënaqësinë që e pranojmë një donacion të nevojshëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjatë kësaj kohe, falënderimi shkon për heronjtë dhe profesionistët për punën në luftimin e pandemisë”, u shpreh ministri Zemaj

Përveç Ministrit Zemaj në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadorit i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt.

Ndërsa, Lasim Destani, Remzi Ejupi e Nazim Viqa thanë se iniciativa e tyre ishte marrë që në fillim të pandemis, dhe se janë të lumtur që kanë mundur të ndihmojnë.

Para pranimit zyrtar të donacionit, ata vizituan Qendrën për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ngjitëse në IKShPK.