IHMK: Nuk parashihet rrezik nga përmbytjet lumore në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se përkundër reshjeve me intensitet të lartë që po ndodhin tani dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, nuk do të ketë rrezik për përmbytje lumore.

Sipas llogaritjeve të IHMK-së (Sektori për hidrologji dhe prognoza hidrologjike), nga data 17 – 19 korrik 2021, pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë por kryesisht të karakterit lokal.

“Reshjet mund të jenë të shoqëruar me shtrëngata dhe herë pas here me shkarkime rrufesh dhe mundësi breshëri, të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi lokale, si në funksionimin e sistemeve të kanalizimeve, dhe të ujërave atmosferike, vështirësi lokale të qarkullimit rrugorë, rrëshqitje të dheut”, thuhet në njoftim.

Po ashtu IHMK thotë se reshjet me intensitet më lartë në disa zona, mund të aktivizojnë rrjedhat e shpejta me karakter malorë siç janë përrenjtë si dhe paraqitjen e vërshimeve të shpejta lokale. Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk përshihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore.