I mbijetuari i Srebrenicës në ekspozitën ‘Reporting House’, “nuk jeni vonë, por nuk keni shumë kohë”

Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë, njëherësh i mbijetuari i gjenocidit, në hapjen e ekspozitës ‘Reporting House’ që dokumenton kontributin e gazetarëve e mediave botërorë për luftën në Kosovë u shpreh se nuk është vonë për këtë ekspozitë, por edhe nuk keni shumë kohë, duke marrë si shembull rastin e Bosnje Hercegovinës.

“Ne i kemi intevistuar mbi 1 mijë persona. Nga gjithë ata që kemi intervistuar, 10 prej tyre kanë ndërruar jetë menjëherë pas intervistave dhe para dy jave një person që kishte dhënë dëshminë, e një pjesë e spikatur ishte kur tha se fëmijët e tij ishin duke ndenjur me fëmijët e vëllait të tij që kishte vdekur, ai kishte turp t`i përqafonte, i vinte keq. Ky ndërroi jetë”- tha ai.

“Dhe një zonjë ndërroi jetë. Mbajeni mend nuk jeni vonë, por nuk keni kohë. Filloni tash, ne kemi humbur 25 vite. Për ne një kohë të gjatë ka qenë pritoritet të zhdukurit, mbetjet e historisë. Historia jonë filloi nga varrezat. Ne e kishim të vështirë t`i gjenim varrezat. Duhet të veproni shpejt”- shtoi tutje ai.

Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive BIRN Kosovë dhe producente e ekspozitës në konferencën për media ka bërë të ditur se ekspozita “Reporting House” fton të gjithë qytetarët të cilat kanë një storje, rrëfim rreth luftës në Kosovë, që të vijnë dhe ta tregojnë atë në hapësirën e ekspozitës.

“Ekspozita është “në ndërtim e sipër” kjo do të thotë që ne e kemi një dhomë të vecantë, hapësirë të vecantë që do të shërbejë për njerëzit të cilët vijnë ta vizitojnë ekspozitën dhe dëshirojnë që të rrëfëjnë një përjetim të tyre”- u shpreh Xharra.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita “Reporting House” që do hapët më 10.06.2024 prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television Neës. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.