I kërkuari nga ShBA dyshohet se u vetëvar në burgun e Pejës

Mëngjesin e sotëm, B. Gj ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka dhënë sqarime në lidhje me këtë rast.

Sipas një njoftimi, sot në mëngjes gjatë hapjes së dhomave dhe numërimit të të burgosurve, në banjën e njërës nga dhomat është gjetur i vetëvarur i paraburgosuri me inicialet B. GJ.

Në të njëjtën dhomë sipas SHKK-së me të ishin edhe tre persona të tjerë.

“I paraburgosuri ishte në mbajtje nga data 14.06.2019 dhe ishte i vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin”, njoftoi SHKK.

KALLXO.com raportoi se i paraburgosuri dyshohet se ka vrarë gruan e tij në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I njëjti pritej të ekstradohej në SHBA pas kryerjes së vrasjes.