I emëruari i qeverisë Kurti që u shkarkua dje flet për takimet në zyra ku u kërkuan shkarkime në Telekom

Më 6 mars 2020, Teki Shala, ishte emëruar anëtar i Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës nga Qeveria Kurti së bashku me tre anëtarë të tjerë.

Por dje, Teki Shala dhe Luljeta Elezi janë shkarkuar nga Qeveria Kurti, e cila e kishte emëruar vet në këtë pozitë pak më shumë se një muaj më parë.

Teki Shala ka thënë për KALLXO.com se njëra ndër arsyet që ka çuar në shkarkim ka qenë refuzimi i kërkesës së ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari për shkarkim të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës pa pasur arsye.

Teki Shala ka shtuar se të njëjtit janë ‘kërcënuar’ me shkarkim nëse nuk e plotësojnë këtë kërkesë.

“Po besoj që ky shkarkim ka ardhur si rezultat se të premten e kaluar ministrja Hajdari na ka thirrë në një takim në kabinetin e saj dhe ka kërku që menaxhmenti i Telekomit të shkarkohet pa asnjë arsye të vetme përndryshe ose shkarkoheni ju”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Më tej ai ka thënë se Bordi nuk ka refuzuar të shkarkojë menaxhmentin e Telekomit të Kosovës por që si pikë e kanë shtyrë për një mbledhje tjetër në mënyrë që të marrin arsye për shkarkimin e tyre.

“Ne nuk kemi refuzu, ne kemi kërku që në një mbledhje të ardhshme të kemi informacion arsyen se pse duhet ta shkarkojmë menaxhmentin, për shkak se në mbledhjen e fundit që i kemi mbajtë të martën, kemi kërku që të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës për një mbledhje tjetër, vetëm kjo ka qenë arsye, jo tjetër. Me shumicë votash, 3 me 2, është shty për një mbledhje tjetër”, ka theksuar Shala.

Por kryeministri në detyrë Albin Kurti, në një intervistë për “Jeta në Kosovë” tha se dy anëtarët e bordit Teki Shala dhe Luljeta Elezi janë shkarkuar për shkak se kanë shfaqur rezistencë në trajtimin e kepërdorimene të menaxhmentit në Telekomin e Kosovës.

“Me sa di unë bëhet fjalë për dy anëtarë të cilët kanë shfaqur një lloj rezistence në trajtimin e keqpërdorimeve të menaxhmentit dhe marrjes së masave përkatëse duke zvarritur proceset të cilat kanë qenë mision i Bordit të përkohshëm aty, pra ndalimi i gjakderdhjes financiare dhe fillimi i së mbarës në këtë kompani aq të rëndësishme edhe për qytetarët edhe për buxhetin por edhe për sigurinë kombëtare”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka shtuar se shpreson që dy anëtarët e rinj të Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës të mos vonohen më.

Arsyeja tjetër për shkarkim sipas Teki Shalës është që ai nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“E vetmja arsye është që nuk jemi pjesë e tyre, tash për shkak të këtyre zhvillimeve politike që po ndodhin në Kosovë edhe pse nuk jemi pjesë e Vetëvendosjes, s’duhet të punojmë aty”, është shprehur Shala.

KALLXO.com e ka pyetur Shalën nëse ai ka qenë i sugjeruar nga LDK në Bordin e Telekomit, dhe nëse ai është shkarkuar për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

“Unë nuk kam asnjë funksion politik në LDK, asnjë pozitë”, ka përfunduar Shala.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në “Jeta në Kosovë” ka theksuar që shkarkimi i dy anëtarëve të Bordit, vetëm pak më shumë se një muaj pas emërimit të tyre ka ardhur për shkak të mos veprimit të tyre.

“Për mua nuk është me rëndësi të kujt janë, është me rëndësi ajo që nuk e bën. Nuk miratohet Bordi i përkohshëm që të tjerat të mbesin njëjtë”, ka potencuar Kurti.

Dje, në mbledhjen e 26-të të Qeverisë, Kurti në vend të Luljeta Elezit dhe Teki Shalës ka emëruar Lule Ahmedin dhe Hekuran Nikçin në Bordin e përkohshëm të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrim nga ministrja Rozeta Hajdari por kontakti me të ka qenë i pamundur.