Ilustrim

I burgosuri ankohet për mungesë të mjekut në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

A. K. ka katër muaj e gjysmë që po qëndron në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Babai i tij, S. K. nga Malisheva ka thënë se djali i tij 22 vjeçar është i sëmurë dhe se sipas djalit të tij në këtë qendër nuk ka mjek këtë të diel (16.06.2024).

“Djali ka probleme me fyt, temperaturë dhe ethe, ka thënë që në mëngjes i kanë sjell një paracetamol por që sot nuk ka mjek aty vetëm teknik. Djali është me temperaturë që 7-8 ditë por janë duke e mbajtur vetëm me paracetamol” – tha për KALLXO.com S. K.

Ai shtoi se është i shqetësuar se mos i ndodh diçka djalit të tij, i cili do të lirohet të martën (më 18.06.2024).

“Jemi shumë të shqetësuar sepse para 1 jave ka vdekur një i burgosur aty. Djalit nuk po i kalon nuk po ndërmarrin diçka tjetër, t`i japin ndonjë infuzion apo diçka”- shtoi tutje ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, Milazim Gjocaj, i cili e ka mohuar këtë gjë.

“Nuk ka lidhje a është festë apo çfarë, mjeku kujdestar është 24 orë në këtë qendër dhe në secilën” – ka thënë Gjocaj.

A. K. është dënuar me 4 muaj e gjysmë për posedim të narkotikëve më saktësisht, marihuanës.