Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxha: RTK më në fund ia ndërpreu kontratën udhëheqësit të shërbimeve të përbashkëta

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, Fadil Hoxha ka bërë të ditur se drejtorit të shërbimeve të përbashkëta, Driton Morinës i është ndërprerë kontrata e punës.

KALLXO.com ka raportuar se Inspektorati i Punës kishte konstatuar se Morina nuk i kishte përmbushur kriteret për pozitën e drejtorit të shërbimeve të përbashkëta në Radio Televizionin Publik.

Hoxha në postimi e tij pretendon se buxheti i RTK-së është dëmtuar për 20 mijë euro nga ky punësim.

“Më në fund menaxhmenti i RTK-së qenka dorëzuar, ia paska ndërprerë kontratën udhëheqësit të shërbimeve të përbashkëta. Këtij personi të zgjedhur në mënyrë të paligjshme i është dhënë pagë për gati një vit. Qysh në ditën e parë të monitorimit të këtij konkursi, ju kam thënë n’ftyrë këtyre të komisionit se çka ju pret nëse nuk e ndalni këtë paligjshmëri”, ka shkruar ai.

Ndonëse vendimeve të Inspektoratit të Punës, Lorik Arifaj, pjesë e komisionit përzgjedhës së Driton Morinës, konsideron se Morina ishte i duhuri për këtë pozitë.

“Nëse je anëtar i një komisioni e vlerësoi në bazë të dokumentacionit sipas meje ka qenë më i përgatituri për atë pozitë. Nëse një institucion vlerëson se është shkelje atëherë drejtori gjeneral merrë vendim për shkëputjen e kontratës dhe nuk ka kurrfarë telashe këtu”, ka thënë Arifaj për KALLXO.com

Ndërkaq Bukurie Gjonabalaj, anëtare e komisionit përzgjedhës për pozitën e Driton Morinës e kontaktuar nga KALLXO.com tha se nuk dëshrion të komentoj.

“Jo nuk kam asnjë koment çdo kush e ka punën e tij. Unë kam qenë pjesë e komisionit të gjitha dokumenttat janë të hapura, kush çka ka votu dhe sa pikë i është dhënë çdo kujt”, tha ajo për KALLXO.com

Driton Morina ishte zgjedhur drejtor i shërbimeve të përbashkëta në Radio Televizionin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

Sindikata e Pavarur e RTK-së kishte bërë ankesë në Inspektoratin e Punës pas dyshimeve se Morina ishte përzgjedhur pa i përmbushur kriteret e konkursit.

Inspektorati i Punës në dy vendime kishte konstatuar se Driton Morina nuk i kishte përmbushur kriteret e konkursit për pozitën e drejtorit të shërbimeve të përbashkëta në RTK.

KALLXO.com që nga muaji tetor ka dërguar pyetje në adresë të RTK-së rreth respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës në lidhje me rastin e Driton Morinës, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me tashmë ish-kryetarin e bordit, Sali Bashota dhe drejtorin e RTK-së, Ngadhnjim Kastratin, por që të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në e-mail të RTK-së drejtuar Driton Morinës por që i njëjti nuk është përgjigjur.

Morina ishte përgjigjur për KALLXO.com përmes e-mailit së RTK-së më 25 maj për vendimin e parë të Inspektoratit të Punës.