Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkalla e dytë e Inspektoratit i Punës konfirmon se bordi zgjodhi drejtorin e shërbimeve të përbashkëta të RTK-së pa i përmbushur kriteret

Organi i shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës ka vendosur në favor të ankesës së  Sindikatës së Radio Televizionit të Kosovës duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Driton Morinës, Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në lidhje me procedurat e përzgjedhjes së tij në këtë pozitë.

Në vendimi e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës thuhet se asnjëri nga kandidatët që kishin aplikuar për këtë pozitë, duke përfshirë edhe Morinën nuk i kishin plotësuar kushtet e konkursit.

Pavarësisht kësaj Bordi i RTK-së kishte vendosur në dhjetor të vitit 2020 që për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta të zgjedhet Driton Morina.

“Shkalla e parë drejtë ka konstatuar gjendjen faktike kur ka vlerësuar se kandidatët nuk kanë plotësuar kriterin e konkursit , në konstatim të tillë ky organ e bazon në shkresat e lëndës gjegjësisht kriteret e konkursit ku shihet qartë se kriteri konkursit për pozitën në fjalë ka qenë kualifikimi “juridik apo menaxhim biznesi”, ndërsa kandidati ankues në këtë procedurë ka poseduar kualifikim tjetër nga sa ka qenë kërkuar në kriterin e konkursit në këtë rast ankuesi ka pasur kualifikimin “Menaxhment dhe Informatikë”, thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com

 

 

Tutje në këtë vendim thuhet se gjatë konkursit ishte vendosur qartë se nëse asnjëri nga kandidatët nuk i plotëson kriteret atëherë konkursi duhej të anulohet.

“Po ashtu ky organ vlerëson se shkalla e parë ka aplikuar drejtë dispozitat materiale të ligjit dhe aktit në ligjorë me të cilin rregullohet procedura konkursit në sektorin publik, sepse në dispozitën e nenit 6 paragrafi 5 pika 5.1 e UA 07/2017 është përcaktuar qartë se konkursi anulohet nëse asnjëri nga kandidatët nuk i ka plotësuar kriterin e kërkuar. Po ashtu shkalla e dytë vlerëson se në rastin e realizimit të inspektimit nga Inspektorja e Punës nuk ka shkelje procedurale sepse shkalla e parë ka vepruar në harmoni me autorizimet e dhëna nga ligji për Inspektoratin e Punës, ka hartuar raportin zyrtar dhe po ashtu sipas dispozitës së nenit 82 të Ligjit të Punës palëve iu është përgjigjur me vendim”, vazhdon vendimi.

 

 

KALLXO.com nga data 4 tetor ka dërguar pyetje në adresë të Radio Televizionit të Kosovës së çfarë ka ndërmarrë në lidhje me vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Driton Morina, por që i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Kryesindikalisti, Fadil Hoxha e ka mirëpritur vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës duke e quajtur një betejë të fituar nga Sindikata.

“Edhe një betejë, e gjatë gati dhjetë muaj, e fituar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së. Pa angazhuar avokat, pa angazhuar ekspert ligjor, si dhe pa shpenzuar asnjë cent të buxhetit të Sindikatës kemi arritur të dalim fitues në përballje me njërën prej vendimeve të paligjshme të drejtuesve te RTK-së, shumë të dëmshme për Transmetuesin Publik dhe buxhetin e saj”, ka thënë ai.

Hoxha në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se vendimi për zgjedhjen pa kritere të Driton Morinës ka dëmtuar RTK-në përreth 20 mijë euro.

Ai ka shtuar se është shqetësuese mospërfillja e vendimeve të Inspektoratit të Punës nga RTK.

“Ajo çka vazhdon të jetë shqetësuese dhe do të duhej të jetë alarmuese për institucionet e drejtësisë, ka të bëjë me faktin se Menaxhmenti i RTK-së nuk është duke e përfillur këtë vendim, edhe pse vendimi i shkallës së dytë të Inspektoratit është marrë me datë pesë (5) gusht të këtij viti”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Inspektorati i Punës në maj të këtij viti kishte marrë vendimin e parë në lidhje me këtë çështje duke konstatuar se gjatë përzgjedhjes së Driton Morinës në pozitën e drejtorit të shërbimeve të përbashkëta të RTK-së ishin bërë shkelje.

Ndaj këtij vendimi më pas Morina kishte bërë ankesë.

Sindikata e RTK-së në krye me Fadil Hoxhën kishte bërë ankesë më 15 dhjetor 2020 pranë Inspektoratit të Punës për konkursin e shpallur nga RTK-së për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK.

Sindikata kishte pretenduar se kandidatët të cilët i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit nuk i kanë plotësuar dy kriteret kryesore të konkursit – kualifikimin dhe përvojën e punës.

 

Inspektorati i Punës: RTK zgjodhi drejtorin e shërbimeve të përbashkëta pa i përmbushur kriterët