Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti më 28.09.2020, Foto: KALLXO.com

Hoti zotohet për transparencë në marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se njëra nga pikat e diskutimit në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë  është analiza e marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tash.

“…Si dhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët me kryeministrin Rama ku do të ju kërkojmë edhe kuvendeve respektive që të mbikëqyrin realizimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Hoti sot në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u miratuan disa marrëveshje.

Hoti tha se edhe mediat do të kenë qasje në të gjitha marrëveshjet e nënshkuara mes të dyja vendeve.

“Ju mund të keni qasje të plotë në të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më qash. Sot kanë kaluar në qeveri edhe këto marrëveshje dhe besoj pasdite do t’i keni në ueb faqen e Kryeministrisë të publikuara të gjitha marrëveshjet pa përjashtim. Ju i keni të drejtë plotësisht  sipas ligjit që të keni qasje në të gjithë dokumentacionin që ekziston në cilindo prej institucioneve të qeverisë”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së hënës i ka miratuar 15 marrëveshje me Shqipërinë që pritet të nënshkruhen në fund të kësaj jave.