Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti takon Escobarin në Vjenë, flasin mbi zhvillimet e fundit në dialog

Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK, Avduallah Hoti është takuar në Vjenë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Hoti ka thënë se është takuar me Escobar në kuadër të EPP dhe kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialog dhe hapat që duhet ndërmarrë në përputhje me vizionin tonë të përbashkët dhe afatgjatë për Kosovën e integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar ai në Facebook.

Escobar javën e kaluar ka qëndruar në Kosovë ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqesues të partive opozitare.

Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë realizuar vizita në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.