Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

Hoti përgjigjet në Kuvend për projektet dhe ndërtimet në veri të Kosovës

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Avdullah Hoti lidhur me një konkurs për ndarjen e 95 banesave nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këtë çështje ajo e ngriti në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së sotme.

“Komuna e Mitrovicës Veriore ka shpallur konkurs për ndarjen e 94 banesave për çiftet e reja të martuara. Këtë e ka bërë të ditur më 12 tetor, nënkryetari i komunës Aleksandër Spiriq. A jeni në dijeni për këtë projekt të Mitrovicës Veriore, nga kush po financohet ky projekt, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti tha se ka kërkuar përgjigje për këtë çështje.

“Kjo çështje i takon pushtetit lokal. Në aspektin ligjor unë kam kërkuar përgjigje dhe keni me pas përgjigjen me shkrim lidhur me këtë projekt sepse është çështje e komunës përkatëse, theksoi Hoti.

Kryeministri bëri të ditur se në veri do të ndërtohen shtëpi për shqiptarët.

“Atë që po bëjmë tash dhe është  në draft-buxhet për ndërtimin e shtëpive në veri, për të kthyer shqiptarët në atë pjesë të vendit”, tha ai.