Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për Qeverinë: Nuk jeni për asgjë, nuk dini të mbani shtet

Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reagur pas komenteve të fundit lidhur me lirimin e ish-policit Dejan Pantiq pasi Prokuroria Speciale kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin Facebook është shprehur se Qeveria nuk ka qenë në gjendje që të arrestuarit t’i japin ndihmë mjekësore dhe ta sillnin në objektin e paraburgimit.

“Barrikadat i largojnë të huajt. Ju mbani konferenca për media në Prishtinë e fjalime para FSK-së. Shani edhe gjyqësorin e prokurorinë sa të mundeni, shpallini tradhëtarë. Por të arrestuarit nuk ishit në gjendje t’i ofronit ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ta sillnit në objektin e paraburgimit.Ju nuk jeni për asgjë. Ju nuk dini të mbani shtet. Ju dini vetëm të shani”- është shprehur Hoti.

Kundër këtij vendimi u deklarua edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai gjatë ditës tha se është kureshtar të dijë se cili prokuror kërkoi arrestin shtëpiak për Pantiqin dhe cili gjyqtar e aprovoi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit, duke potencuar se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK

KGjK i përgjigjet Kurtit: Bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës