Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Foto: ZKM

Hoti: MCC vazhdon mbështetjen për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën.

“Në letrën që kam pranuar nga z. Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC,  thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit tonë të fuqishëm dhe angazhimit të qëndrueshëm që Kosova ka bërë në fuqizimin e  institucioneve demokratike, duke mbajtur politika të shëndosha ekonomike dhe duke investuar në qytetarët e sajë”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoti është shprehur se Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës.

“MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra ime dhe nga të gjitha ministritë përkatëse. Jam shumë i lumtur për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe pres thellimin e  partneritetit për të jetësuar një program ambicioz inovativ dhe transformues në Kosovë”, thuhet në publikimin e tij.