Hillary Clinton - Foto: Facebook

Hillary Clinton sërish në fushatë, por për ta përkrahur Joe Bidenin

Ish-kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara më 2016, Hillary Clinton, është rikthyer në fushatë për zgjedhjet e sivjetme presidenciale.

Jo për të garuar kundër Donald Trump, ish-rivalit republikan, i cili e kishte mposhtur në zgjedhjet e kaluara, por për ta përkrahur bashkëpartiakun e saj, Joe Biden.

“Dëshiroj t’ua shtoj zërin tim të gjithë atyre që ju mbështesin për t’u bërë presidenti ynë“, i ka thënë ish-Sekretarja e Shtetit kandidatit demokrat për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, raporton AFP.

Joe Biden e ka falënderuar për mbështetjen “gruan që është dashur të jetë presidentja e Shteteve të Bashkuara”.

Hillary Clinton ka kritikuar presidentin aktual për menaxhimin e situatës me pandeminë e coronavirusit.

Në ShBA, deri më tani janë mbi 1 milion të prekur nga COVID-19, e mbi 58 mijë të vdekur.

Ajo ka bërë thirrje që të votohet Joe Biden, “i cili do t’i jipte fund përbuzjes, jo vetëm të vlerave amerikane por edhe institucioneve amerikane, shtetit të së drejtës, dhe aq shumë gjërave të tjera që janë vënë në pikëpyetje për shkak të presidentit aktual”.