Gjykata refuzon padinë e Trump kundër Hillary Clinton-it për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016

Një gjykatës amerikan e ka hedhur poshtë padinë e Donald Trump kundër rivales së tij për presidente, në vitit 2016, Hillary Clinton, duke thënë se pretendimet e ish-presidentit republikan se demokratët u përpoqën t’i manipulonin ato zgjedhje duke e ndërlidhur fushatën e tij me Rusinë, ishin përpjekje për t’i “përfolur” ankesat politike që nuk i përkisnin gjykatës.

Në rrëzimin e padisë së Trump të enjten mbrëma, gjyqtari Donald Middlebrooks nga gjykata e qarkut të SHBA për rrethin jugor të Floridës tha se padia nuk po kërkonte “korrigjim për ndonjë dëm ligjor” dhe se gjykata “nuk ishte forumi i duhur” për ankesat e ish-presidentit.

“Ai po kërkon ta shfaqë një manifest politik prej dyqind faqesh që përshkruan ankesat e tij kundër atyre që e kanë kundërshtuar” – tha Middlebrooks në vendimin e tij.

Në muajin mars, Donald Trump kishte paditur Clinton, kandidaten demokrate për presidente të vitit 2016, dhe disa demokratë të tjerë që pretendonin “shantazh”, një “komplot për të kryer gënjeshtra të dëmshme” dhe pretendime të tjera në një padi prej 108 faqesh që i bëri jehonë listës së gjatë të ankesave që ai shfaqi vazhdimisht gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë pasi doli fitues ndaj Hillary Clinton.

Ai kishte kërkuar dëmshpërblim dhe ndëshkim, duke thënë se kishte shpenzuar më shumë se 24 milionë dollarë në “kostot e mbrojtjes, tarifat ligjore dhe shpenzimet e lidhura”.

Në vendimin e tij, Middlebrooks tha se Trump kishte pritur shumë gjatë për ta paraqitur ankesën e tij duke e tejkaluar statutin ligjor të kufizimeve për pretendimet e tij dhe se ai nuk arriti të argumentonte se ai ishte dëmtuar nga ndonjë falsitet, duke vënë në dukje se shumë nga deklaratat e bëra nga të pandehurit ishin “të mbrojtura qartë nga Amendamenti i Parë” i Kushtetutës së SHBA që e rregullon lirinë e fjalës.

Të pandehurit e tjerë përfshinin përfaqësuesin demokrat Adam Schiff, i cili udhëhoqi një nga dy akuzat e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA kundër Trump, dhe Christopher Steele, ish-oficer i inteligjencës britanike që shkroi një dosje të shpërndarë në FBI dhe media përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe të tjerë në qeverinë amerikane e kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në ato zgjedhje. Moska ka mohuar se ka ndërhyrë ndonjëherë në fushatën elektorale të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016./The Guardian