Foto: Lockheed Martin

Hill: ShBA e ka pranuar kërkesën e Kosovës për shitjen e raketave ‘Javelin’

Kosova së shpejti mund të pajisjet me një mjet të avancuar luftarak.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, gjatë një takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq tha se Amerika ka pranuar kërkesën e Republikës së Kosovës për blerjen e raketave kundërtank “Javelin”.

Siç njoftojnë mediat në Serbi, duke cituar ambasadorin Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, i cili fillon procedurën zyrtare.

Me informacionet e zyrtarit amerikan nuk është ndarë i kënaqur presidenti serb, Vuçiq. Por, siç raportojnë mediat serbe, ai ka premtuar se do të bashkëpunojë me ShBA-në për të ruajtur paqen.

“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”- citohet të ketë thënë Vuçiq.

Raketa antitank “Javelin” u prodhua dhe zhvillua për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj. Së fundmi, ky mjet luftarak u bë i njohur në luftën e Ukrainës dhe Rusisë, kur trupat ukrainase patën sukses luftarak përballë forcave ruse.

Gjatë vitit 2022, Shqipëria kishte porositur këtë lloj arme.