Christopher Hill, ambasadori amerikan në Serbi. 19 prill 2022. Foto: Ambasada

Hill: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në bashkësinë ndërkombëtare

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se Kosova vazhdon të mbetet një temë e vështirë, duke përmendur vitin 1999 dhe 2008 si data kyçe.

Hill tha se ka çështje të pazgjidhura mes dy vendeve, teksa shtoi se Bashkimi Europian me këmbëngulje po përpiqet për një zgjidhje.

“Kosova është një temë e vështirë në këtë vend, ka data kyçe – 1999 dhe 2008. Është e qartë se ka tema që kanë mbetur dhe nuk janë zgjidhur. Mendoj se Bashkimi Europian me këmbëngulje po përpiqet t’i zgjidhë këto çështje. Në procesin e Brukselit, ka elemente që janë në tavolinë  për atë çfarë duhet bërë më në fund. Është e nevojshme që serbët në veri të Kosovës të dinë se si do të jetë jeta e tyre dhe mendoj se i gjithë koncepti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është thelbësor”- deklaroi Hill në Forumin Ekonomik të Beogradit.

Ambasadori amerikan u shpreh se Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete që të jetë në rrafshin ndërkombëtar.

Hill thekson që Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe në këmbim të marrë një tërheqje të Serbisë për të lejuar Kosovën që të kërkojë anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare.

“Në të njëjtën kohë, Kosova deklaroi pavarësinë më 2008 dhe ja ku jemi, 15 vjet pas, Kosova ka ende pesë shtete anëtare në BE që nuk e njohin si shtet dhe ka shumë shtete të tjera në botë që nuk e njohin. Pra Kosovës i duhet një kapacitet më i madh të jetë në rrafsh ndërkombëtar dhe prandaj ideja fillestare në tavolinë është të jetë një Asociacion i komunave me shumicë serbe, në këmbim të tërheqjes së Serbisë për t’i dhënë Kosovës kapacitetin për të kërkuar këto marrëdhënie dhe anëtarësime në komunitetin ndërkombëtar”- deklaroi ai.

“Nuk është e lehtë, ju gjithmonë mendoni se negociatat janë një ekuacion që e mësoni në shkollën e mesme në matematikë, por është gjithmonë më kompleks sesa mendoni, por kjo duhet të ndodhë”- shtoi Hill.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Palët deklaruan se dokumenti është i pranueshëm për ta, mirëpo liderët e të dyja vendeve arsyetuan fshehtësinë e përmbajtjes, duke thënë se kjo është kërkuar nga pesë emisarët, pasi përpjekjet diplomatike janë ende në vazhdim.