Kuvendi i Kosovës, 24 mars 2022/ Foto: KALLXO.com

Nuk kalon Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i propozuar nga PDK-ja

Më 19 vota për, 42 vota kundër dhe dy abstenime nuk është miratuar në parim Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale.

Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar sot në parim Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale edhe pse Komisioni për Shëndetësi ka rekomanduar që ky projektligj mos të miratohet.

Ky Projektligj është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, si propozuese e këtij projektligji tha para deputetëve se e kanë proceduar në Kuvend këtë projektligj pasi e kanë dërguar për mendim në Qeveri.

Sipas saj, përgjigja e Qeverisë ka qenë që janë duke u marrë vet me hartimin e këtij projektligji.

“Ky arsyetim është i paqëndrueshëm sepse një projektligj i tillë ka qenë në agjendë edhe vitin e kaluar dhe kjo qeveri nuk e ka marr fare mundin të punoj në këtë drejtim. Pastaj projektligji është shqyrtuar në komisionin për shëndetësi dhe me datë 12 korrik 2022 më shumë se 4 muaj vonesë përpjekje për të pengu shqyrtimin e një projektligji kaq të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të vetmen arsye vetëm pse është propozuar nga opozita”, tha ajo.

Zejnullahu në emër të grupit parlamentar të PDK-së e ka prezantuar këtë projektligj duke thënë se ka për qëllim rregullimin e çmimit të produkteve medicionale në tri nivele.

Sipas saj, ky projektligj e përcakton çmimin fiks për shitje me shumicë dhe pakicë të produkteve medicionale përmes subjekteve të licencuara për qarkullim me shumicë dhe pakicë të produkteve medicionale në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, sipas saj, përcakton çmimin maksimal të blerjes ose tavanin e çmimit për produkte medicionale në raport me listën e barnave esenciale e cila përfaqëson çmimin maksimal të cilin Ministria e Shëndetësisë ose autoriteti kompetent do të lejohet me ble një produkt medicional me procedura të hapura të prokurimit.

PDK prezanton Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, LVV nuk e përkrah