Haxhiu paralajmëron fillimin e punimeve për projektligjin për vetting

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në facebook ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të fillojnë punimet me grupet punuese në lidhje me projektligjin për vetting.

“Shumë shpejtë nisim punën me grupet punuese lidhur me projektligjin për vetting, konfisikm të pasurisë së pajustifikueshme , institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe shumë çështje të tjera”, ka bërë të ditur Haxhiu.

Ajo ka njoftuar për këtë në kuadër të postimit se Blerim Sallahu do të jetë zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë.

“Blerim Sallahu do të jetë zëvendësministër i Drejtësisë. Me Blerimin para 11 viteve jemi takuar në Lëvizje. Jam shumë e lutmur që së bashku do të vazhdojmë të punojmë në jetësimin e zotimeve tona”, ka shkruar Haxhiu, duke thënë se këtij rrugëtimi do t’i bashkohen edhe shumë profesionistë që i’a duan të mirën vendit dhe e duan Kosovën vend me drejtësi e zhvillim.

“Kosova do të bëhet shtet i së drejtës”, ka përfunduar Haxhiu.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në plotësimin e synimeve dhe përgjegjësive të tyre.

Zëvendësministrat e emëruar janë: Hysen Durmishi, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Enver Dugolli, zëvendësministër i Mbrojtjes, Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë dhe Ilir Aliu, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve.