Haxhiu: Aktgjykimi i sotëm për Pronton është vula e shtetit të kapur

Deputetja nga radhët  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.

Haxhiu në Facebook ka shkruar se gjykata sot, i dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit.

“Trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?! Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re”, thuhet në publikimin e deputetes së VV-së.

VV-ja si parti që ka dalë e para në zgjedhje dhe LDK-ja e dyta nuk kanë arritur ende një marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje, ndonëse ishin zotuar se shumë shpejt do të krijonin ekzekutivin, për ta luftuar më pas krimin e korrupsionin.

Në anën tjetër, Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Prokurorja Drita Hajdari: Të fuqishmit e politikës i shpëtojnë drejtësisë

Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas akgjykimit të shpallur sot, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatë, ka reaguar prokurorja e rastit, Drita Hajdari. Prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ka ngritur aktakuzën ndaj 11 të përfshirëve në rastin ‘Pronto’ është shprehur e zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës.

“Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashtë së paku me dhënë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka shprehur shqetësimin se ky nuk është rasti i parë ku të fuqishmit e politikës i shmangen drejtësisë.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.

Kush është gjyqtari që liroi të akuzuarit e  aferës “Pronto”

.