'Koalicioni i shpresës' komunikon nga distanca

Komunikimi nga distanca ka qenë forma e vetme e deklarimeve të ndërsjella mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa rreth zhvillimeve për formimin e e qeverisë së re, në ditët e fundit të vitit 2019.

Seanca e konstituive e Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor i gjeti këto dy parti pa marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërkaq pas zgjedhjes së kryetarit të ri të legjislativit, Glauk Konjufca nga VV-ja, u rëndua hendeku politik i bisedimeve mes tyre, pasi LDK pretendonte që në kuadër të bisedimeve për koalicion ta merrte për vete kjo pozitën e kryeparlamentarit.

Këtë fundjavë Albin Kurti e Isa Mustafa iu adresuan njëri-tjetrit përmes rrjeteve sociale e paraqitjeve publike, pa u takuar personalisht.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, zyrtarë të të dyja partive, bashkëqeverisjen e paralajmëruar mes VV-së dhe LDK-së e quanin “koalicion të shpresës”, përderisa gjasat për ujdinë finale mes tyre duken të jenë minimale.

Të premten e kaluar, kandidati për kryeministër nga VV-ja Albin Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet nacionale këtë vit, mori dy ftesa nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, për caktimin e mandatarit për udhëheqjen e qeverisë.

Mirëpo Kurti i dha përgjigje negative të dy ftesave, pas të cilave u deklarua  se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Kurti një ditë më parë, duke shtuar se partia e tij do të intensifikojë takimet e konsultat me LDK-në për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Në anën tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Isa Mustafës së LDK-së, i cili përmes një publikimi në Facebook iu përgjigj Kurtit, duke thënë se LDK-ja nuk cakton data.

“LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”, ka shkruar Mustafa.

I pari i LDK-së, ka shtuar se partia e tij është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të certifikuara nga KQZ-ja.

Çka nëse nuk do të ketë qeveri VV-LDK?

Mundësia e mosarritjes së një pajtueshmërie mes VV-LDK për ta qeverisur vendin në mandatin e ardhshëm, lë hapësirë për një dakordim të subjekteve të tjera politike për ta bërë një gjë të tillë.

Për analistin politik Nezir Kraki është zhgënjyese kur dy parti të mëdha dhe serioze nuk arrijnë ta gjejnë gjuhën dhe pajtimin e duhur në interes të vendit dhe sidomos kur mospajtimi nuk lidhet me programin qeverisës, por vetëm me ndarjen e posteve.

Pozita e presidentit u tha të jetë arsyeja kryesore e cila pengoi finalizimin e koalicionit VV-LDK, pasi kjo e fundit insistoi ta ketë të drejtën për propozimin e kandiatit për kryetar të shtetit në vitin 2021.

Ndërkaq, Kraki thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se paqartësia në këto bisedime është rritur nga fakti se në LDK nuk ka sot një person apo lider i cili mund të flas në emër të partisë.

“Ka 3 muaj që LDK flet me disa zëra dhe me disa shefa”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, ai shton se VV është treguar konstruktive, por ka gabuar kur e ka caktuar LDK-në si partner të vetëm dhe ekskluziv për koalicion.

Njohësi i zhvillimeve politike mes tjerash flet për gjasat e krijimit të një qeverie “befasuese”.

“Nuk do ketë qeveri deri në janar apo shkurt dhe gjasat janë që qeveria e re të jetë befasi për të gjithë, sidomos nëse sabotimi i opsionit të parë, do të thotë i qeverisë eventuale VV dhe LDK, vazhdon në këtë formë”, shprehet Kraki.

“Ata që ishin deri tash në menaxhim të Kosovës humbin shumë, tepër shumë nëse dalin jashtë sistemit, prandaj ka sot presione të papara brenda LDK-së që qeveria me VV të mos bëhet. Janë në pyetje qindra poste, qindra miliona euro përfitime, nga të cilat kasta aktuale do largohej”, ka vazhduar ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.