Kush është gjyqtari që liroi të akuzuarit e  aferës “Pronto”

Pas 12 seancave dhe më shumë se 15 muaj aktgjykim, Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e njërit prej rasteve më të përfolura në Kosovë, i njohur si “Afera Pronto”.

Trupi gjykues prej tre gjyqtarëve vendorë vlerësoi se ‘prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme’ për t’i gjetur fajtor Adem Grabovcin dhe të akuzuarit tjerë për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovë duke diskutuar emërimin e personave të PDK-së në pozita udhëheqëse.

Aktakuza e njohur si ‘Pronto’, ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në prill vitit 2018.

Në këtë çështje penale ishin të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë një ministër, ish deputetë, zëvendësministra dhe ish- sekretarë të përgjithshëm të ministrive.

Por kush është gjyqtari që udhëhoqi trupin gjykues që ndau drejtësinë   për rastin e aferës “Pronto”?

Ai është Shashivar Hoti, gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë që nga viti 2016.

Para kësaj pozite ka punuar si administrator në Gjykatën Komunale të Lipjanit.

Pasi e kishte pranuar aktakuzën e aferës “Pronto”, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, gjyqtari Hoti, kishte vendosur që ketë rast t’ia dërgonte për gjykim Departamentit të Përgjithshëm Penal. Me këtë vendim nuk ishte pajtuar Prokurorja Speciale, Drita Hajdari dhe për ta kundërshtuar këtë vendim me ankesë i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit.

Duke vendosur sipas ankesës së prokurores, Gjykata e Apelit vendosi që lëndën ta kthejë në Departamentin për Krimet e Rënda tek i njëjti gjyqtar.

Pas kësaj, gjyqtari e kishte mbajtur shqyrtimit fillestar të akuzës, duke mos e lejuar leximin e aktakuzës për publikun me kërkesë të avokatëve mbrojtës edhe përkundër insistimit të prokurores që aktakuza të lexohej, një praktikë  jo e zakonshme gjyqësore.

Gjatë karrierës së tij si gjyqtar në Krime të Rënda, Shashivar Hoti, ka ndarë drejtësinë në disa raste të profilit të lartë.

Ndër to është rasti i ish- kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ku gjyqtari Hoti kishte vendosur që ta zhvillonte gjykimin me dyer të mbyllura për publikun.

Salih Mekaj gjatë këtij viti ishte shpallur i pafajshëm për akuzat për keqpërdorim të detyrës, ndërsa gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari nuk e kishte arsyetuar fare vendimin para publikut.

Në lidhje me këtë rast, Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruar nga Prokurorja Drita Hajdari, kishte gjetur se aktgjykimi lirues ishte në kundërshtim me ligjin.

Hoti kishte ndarë drejtësinë edhe në rastin e Bajram Pajazitit, vëllait të heroit  Zahir Pajaziti, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës, edhe ky rast kishte përfunduar me aktgjykim lirues.

Aktakuza për keqpërdorim të detyrës ndaj Murat Mehës, Ismet Kryeziu dhe Nemanja Spasiqit, ishte hedhur poshtë me vendimin e këtij gjyqtari, vendim i cili u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.

Pos këtyre Shashivar Hotit i ka rënë hise edhe gjykimi i Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK-ja, rast ky i cili nuk po zgjidhet qe një kohë e gjatë, ku edhe  prokurori i EULEX-it, Romulo Mateus i kishte konsideruar fyerje për drejtësinë shtyrjet e këtij procesi gjyqësor.

Historiku i aferës ‘Pronto’

Në prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Hetimet e Prokurorisë Speciale nisën në vitin 2016, pasi portali ‘Insajderi’ publikoi disa përgjime telefonike ku zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dëgjohen tek bëjnë negocime për punësime nëpër borde të agjencive.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Aktualisht Gjyqtari Hoti përpos aferës “PRONTO”, gjykoi  edhe rastet e Enver Sekiraqes dhe deputetit Naser Osmani.

Përderisa ndaj Sekiraqa u shpall aktgjykim dënues me 30 vjet burg, Hoti i shpalli të pafajshëm të akuzuarit e rastit “FAN”, ku i akuzuar ishte edhe Naser Osmani.