Havolli u përgjigjet kritikave për ligjshmërinë e zgjedhjes së tij Zv/Guvernator i BQK-së / VIDEO

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli ka thënë se është i bindur se zgjedhja e tij në këtë pozitë është në përputhje me Ligjin.

“Ka qenë një temë që është ngrit kohë pas kohe, nuk kam ndonjë shqetësim lidhur me këtë temë, kjo për shkak që mandati nuk është shpallur për vazhdim, por mandat i plotë dhe referencat në të cilat është ndërtu konkursi ka qenë për mandat të plotë dhe vendimin që e kam marrë është me mandat të plotë”, thotë Havolli në intervistën e cila u transmetua sonte në #KallxoPernime.

Ai shton se nëse dikush ka dyshime në zgjedhjen e tij, çështjen ta dërgoj në organet e drejtësisë.

“Secili nen që flet për pjesën e konkurseve tregon edhe për afatet dhe funksionalizimin e trupave brenda BQK-së. Megjithëse nëse ka dikush dyshim për këtë pjesë le të dërgoj rastin në gjykatë. Konkursi është shpallur për mandat të plotë dhe është realizuar konform të gjitha afateve. Unë e kam fituar afatin 5 vjeçar nuk e kam zëvendësuar askë. Cilin mandat atë më pak se 30 ditë. Shihe të çështja e afateve, nuk ka ndonjë telashe, nuk jam i shqetësuar as për të drejtën time për me realizu mandatin e plotë, as të ligjshmërisë, sepse kjo, nuk hezitoj le të shkoj rasti në gjykatë”, thotë Havolli.

Anëtari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se është interesuar të shikoj se si është zgjedhur Havolli në pozitën që mban tani.

“Më datën 20.10.2021, unë në portalin Kallxo.com e kam shikuar raportimin e Guvernatorit të BQK-ës para Komisionit parlamentar. Në këtë raportim, një nga deputetët e pyet Guvernatorin për mandatin e kontestuar të zëvendës guvernatorit Sokol Havolli, se si nuk është dashtë të zgjedhet me mandat për 5 vite, por për mandatin e mbetur, ashtu si e kërkon ligji për BQK-në – neni 45. Në këtë pyetje Guvernatori përgjigjet “për këtë mos me pyetni mua, por pyetni Bordin se ata e kanë marr këtë vendim”. Pastaj, duke e pas në kujtim këtë përgjigje, nga momenti që jam zgjedhur si anëtar i bordit jam interesuar ta shikojë cila është e vërteta. Kur kam filluar t`i kërkojë dokumentacionet për zgjedhjen e z. Havolli dhe e kam ngritur në biseda jo formal me guvernatorin, se zgjedhja e Sokolit si zëvendësguvernator në dukje është e kontestuar për shkak afateve që i përcakton ligji për BQK-ës”, thotë Nurboja në përgjigjen e tij dërguar emisionit #KallxoPernime.

Pas kësaj Nurboja shton se Sokol Havolli e dërgoi një mik të përbashkët që ta takoj e i cili i kërkon takim me të.

“Normal unë takohem me të duke mos e ditur se për çka do të bisedojmë. Në këtë takim, ky miku jonë e  ngrit si çështje, se pse unë po interesona për mandatin e Sokol Havollit, kur ai është zgjedhur në vitin 2018 dhe i ka mbetur mandat 1 vjet e disa muaj. Përgjigja ime ka qenë, se Guvernatori para komisionit parlamentar ja ka bart këtë përgjegjësi Bordit, e ku edhe sipas ligjit, procedurën e rekrutimit e bën Guvernatori, ndërsa miratimin vetëm Bordi. Në këtë rast unë mendoj që Bordi i kaluar ka ra ne lajthitje, dhe si rezultat një pasojë juridike po vazhdon. Ky miku ynë i përbashkët, e përmend se z. Havolli ka kredi hipotekare dhe nëse i ndërpritet mandati mund të ketë vështirësi në kthimin e borxhit. Ku unë përgjigjem, në rast se Bordi vendos të shfuqizojë vendimin për zgjedhjen tij për të rregulluar një të metë ligjore, atëherë z.Havolli sipas ligjit të BQK-ës i takon një pjesë e pagës për periudhë 1 vjeçare. Asgjë ma shumë nuk ka pasur në këtë bisedë”, thotë shpjegimi i Nurbojës.

Ai ka shtuar se po pret nga komisioni parlamentar i cili e ka ngrit çështjen e mandatit të zëvendësguvernatorit, të kërkojnë nga zyra ligjore e parlamentit të bëjë interpretimin e ligjit të BQK-ës, në veçanti nenit 45.

Në emisionin e sotëm, Havolli përmendi se Nurboja kishte përmendur dorëheqjen e tij nga pozita e zëvendës guvernatorit ndërsa i njëjti e kishte konsideruar një gjë të tillë si presion.