Ramush Haradinaj - Arkiv - FOTO KALLXO

Haradinaj refuzon ftesën e Lajçakut për bisedë telefonike, e cilëson "të panevojshme"

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka shkruar letër përfaqësuesit special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke i thënë që një bisedë telefonike në këto rrethana do të ishte “e panevojshme”.

“Dëshiroj të ju falënderoj për letrën tuaj të datës 9 prill 2020, si dhe për propozimin për një bisedë telefonike me kërkesë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh rrethanat e paqarta politike, besoj se një thirrje telefonike do të ishte e panevojshme”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë që kredibiliteti i BE-së në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi është dëmtuar shumë, përderisa ka shtuar se tani BE dëshiron ta zvarritë dialogun në një proces të pafund.

“Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund”, ka shkruar tutje ai.

Haradinaj në letrën dërguar Lajçak ka thënë se “Kosova e ka mirëpritur rolin e Kancelares Angela Merkel dhe të Presidentit Emmanuel Macron për t’u angazhuar personalisht në marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative”.

Haradinaj ka theksuar se tani që ShBA-të e kanë marr përsipër dialogun me Serbinë, është shfaqur një energji e re për arritjen e marrëveshjes.

Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me energjisë e re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, mbi një dekadësh, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive.

Më 3 prill Miroslav Lajçak është emëruar përfaqësues i ri special i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi.

Që nga emërimi, ai ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kryetarin e Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin si dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë pas vendosjes së tarifës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 si përgjigje ndaj fushatës së çnjohjeve nga shteti i Serbisë.