Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj pas takimit me Kurtin: ShBA-të të përfshihen në dialogun me Serbinë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka deklaruar se temë e diskutimit ka qenë dialogu me Serbinë.

Haradinaj në një prononcim për media tha se kërkojnë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, pasi që sipas tij, kjo situatë e tanishme po e prish balancin e Kosovës në dialog.

“Në takim kemi dëgju disa qëndrime të kryeministrit rreth dialogut dhe njëkohësisht kam shprehur disa qëndrime, shqetësime të Aleancës e të mijat rreth dialogut. Ajo që hetojmë është një mungesë e ShBA-ve në dialog, kjo është një situatë jo e mirë, e prish bilancin e Kosovës në dialog. Do të ishte shumë me dobi që të emërohet një emisari nga presidenti Biden si përfaqësues i ShBA-vë. Një tjetër çështje është se ka konfuzion në agjenda, p. sh. disa zhvillime prezantohen si axhendë e procesit të Berlinit, çështja e lëvizjes  qytetarëve me Bosnjën”, ka thënë Haradinaj.

“Në rastet tjera si proces teknik shohim se peshën kryesorë e ka Lajçak por që është nivel i ulët i përfaqësimit për agjendë, pra nuk janë liderët. E ardhmja e dialogu, duhet të mos kemi befasi dhe të mbesim në ato që na obligon Kushtetuta e vendit. Hetojmë në vazhdimësi një lloj ikje prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare dhe UÇK-ja ka sjellë lirinë e ndihmune prej NATO-së dhe se Kosova nuk duhet të barazohet me vendet e rajonit me kriminelët e luftës. Vetëm Serbia ka nevojë të lirohet nga kriminelët e luftës”, tha ai.

Kurti, të enjten u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Siç kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit, takimet “do të jenë në shërbim të bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Kosovës”.