Haradinaj: Nuk ishim në dijeni për emërimin e Skender Hysenit, qasja e Hotit nuk mund të vazhdoj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është shprehur i pakënaqur me emërimin e Skender Hysenit të LDK-së si koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë për shkak që siç thotë ai “nuk ishte në dijeni” për këtë emërim nga ana e kryeministrit Hoti.

Haradinaj ka kritikuar Hotin për shmangien ndaj ministrit të Drejtësisë Selim Selimit (AAK) për takimin në Bruksel. Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka deklaruar se me këtë qasje të Hotit për dialogun me Serbinë nuk do ta ketë përkrahjen e tij si partner i koalicionit.

“I kam dërguar edhe shkresë për këtë dhe ku i kemi vërejte, nuk kemi pas asnjë arsyeje shefen e kabinetit në takim me Vuçiqin, me siguri e talentume por qitash e ka përvojen e parë e me lanë jashtë takimit, Selim Selimin që ka qenë gjithë në temat e dialogut. Nese nuk i beson Selim Selimit, as unë nuk të besoj ty[Hotit]. Unë nuk e di cka ka ndodhë në takimin Hoti-Vuciq se nuk ka kush me tregon. Unë du me pas njërin tim aty, jemi dy partitë bashkë. Nuk besoj që ai ka bë ndonjë tradhti në takim, por nuk mendoj që kjo është mënyrë e mirë për të ec përpara, duhet me kriju më shumë ndjenjë të përbashkët brenda koalicionit separi. Nëse ai nuk i beson Aleancës që e ka në koalicion, pse me i besu atëherë atij opozita?! Jam habit me këto ide të tij. Kjo qasje nuk mundet me vazhdu”, u shpreh ish-kryeministri.

Sipas tij, me emërimin e Hysenit, LDK po tenton që ta përvetësojë dialogun me Serbinë duke lënë anash partitë e tjera,

“E ka emëru Skender Hysenin, për të cilin kam respekt. I pari që ia përkrahu ishte presidenti Thaçi. Nuk e ka përkrah Aleanca sepse nuk kam qenë në dijeni. Asnjë mesazh nuk e kam marrë nga kryeministri. Nëse e përvetësojnë dialogun e dëshirojnë më u bë një klub i ngushtë për këtë temë, në rregull, puna e mbarë, mbani përgjegjësitë. Kur vini në parlament edhe na e thojmë mendimin tonë.  Nuk funksionon kështu, në të kalume këto i kanë shkaktu pasoja Kosovës, kështu kemi mbërri te tavolina e Mogherinit kur një klub i vogël e njerëzve, klubi i njëjtë që të ka përfaqësuar ne kemi mbetur duke i këqyrë”, tha ai.

“Ndoshta kisha thënë po nëse më kishin pyetur për Skender Hysenin, se ai ka përvojë mirëpo dëshira e LDK-së për me përvetesu këtë agjendë, po u sigurojë që përgjegjësinë po e çojnë veç të ata. Nuk e marrë përgjegjësinë para popullit të Kosovës nëse e fut në një proces të çuditshëm”, shtoi ai lidhur me emërimin e Skender Hysenit në postin e koordinatorit për dialogun me Serbinë.