Ramush Haradinaj - Arkiv - FOTO KALLXO

Haradinaj: Institucionet do konstituohen shpejt, s’ka boshllëk qeverisës

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti se institucionet e reja do të konstituohen duke mos lejuar boshllëk qeverisës.

“Sot, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 82 vota përkrahën mocionin e votëbesimit. Ky është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua sot nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.

117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit ishte kërkuar të shtyhet për shkak të gjendjes së krijuar nga coronavirusi, nga i cili deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 71 raste.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.