Haradinaj: Incidentet në veri, tregues serioz se mund të ketë skenar të pengimit të zgjedhjeve të 23 prillit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se incidentet me djegien e veturave në veri të Kosovës janë tregues se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”- ka shkruar ai në facebook.

Kreu i AAK-së ka kërkuar që edhe ndërkombëtarët të garantojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës”- ka shkruar ai.

“Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”- ka theksuar ai.

Sipas Haradinaj paqja në Kosovë është e paalternativë dhe të të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë.

Mbrëmë pas mesnatës dyshohet se tre serbëve të Kosovës u janë djegur veturat të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Policia ka njoftuar se dy vetura janë djegur në Mitrovicë të veriut dhe një tjetër në Zveçan.

Dje Policia ka raportuar për djegën e dy veturave me targa RKS në  Zubin Potok. Sipas Policisë, palët ankuese kanë raportuar se veturat e tyre kanë qenë të parkuara në lagjen e tyre, para shtëpive të banimit.

Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e jashzakonshme lokle të 23 prillit në Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar, kur kryetarët e këtyre komunave që qeveriseshin nga Lista Serbe braktisen institucionet e Kosovë për shkak vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Këto zgjedhje u caktuan më 28 dhjetor 2022, mirëpo mbarëvajtja e tyre qe e pamundur për shkak të përshkallëzimit të situatës më 10 dhjetor2022, datë në të cilën u arrestua ish-polici Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të veriut.

Digjen tri vetura me targa RKS në veri