Haradinaj i kërkon ministres së AAK-së t'i bëjë publikë emrat e gjithë pjesëtarëve të shërbimit diplomatik

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga bashkëpartiakja e tij, ministrja Meliza Haradinaj – Stublla që t’i bëjë publik emrat e të gjithë pjesëtarëve të shërbimit diplomatik të Kosovës dhe lidhjet e tyre familjare dhe partiake.

Kjo thirrje vjen pasi që të martën u raportua se djali i deputetit të AAK-së Haxhi Shala, Flakron Shala, është emëruar konsull në Pragë të Çekisë.

Shala, është emëruar si Konsull i Përgjithshëm në Pragë/ Çeki, kjo pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Vota e deputetit, Haxhi Shala ishte konsideruar si vendimtare për Qeverinë Hoti. Madje Shala në seancën e 3 qershorit kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar pas mesnate për t’ia ndërruar mendjen për të votuar pro Qeverisë Hoti.

Në shkresën e siguruar nga KALLXO.com, të datës 28 shtator, ministrja Haradinaj i rekomandon presidentit Thaçi që ta dekretoj djalin e deputetit Shala.

Në lidhje me këtë emërim ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka marrë vendim për të shfuqizuar dekretimin e Flakron Shalës dhe tre konsujve të tjerë.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si Konsull në Çeki.

KALLXO.com ka gjetur se deklarata e kryeministrit Hoti, e dhënë sot, lidhur me emërimin e Flakron Shalës konsull në Pragë është rrenë e kryptë, sepse, ish-presidenti Thaçi dekretin për emërimin e Shalës ua kishte dërguar Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Flakron Shalës.

Rrena e kryeministrit Hoti rreth emërimit të djalit të Haxhi Shalës si konsull