Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Para dorëheqjes, Thaçi e kishte dekretuar djalin e Haxhi Shalës Konsull në Çeki

Vota e deputetit, Haxhi Shala ishte konsideruar si vendimtare për Qeverinë Hoti. Madje Shala në seancën e 3 qershorit kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar pas mesnate për t’ia ndërruar mendjen për të votuar pro Qeverisë Hoti.

E vetëm pak muaj më vonë, djali i deputetit Shala, Flakron Shala, është emëruar si Konsull i Përgjithshëm në Pragë/ Çeki, kjo pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Në shkresën e siguruar nga KALLXO.com, të datës 28 shtator, ministrja Haradinaj i rekomandon presidentit Thaçi që ta dekretoj djalin e deputetit Shala.

“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, iu drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, thuhet në letrën e ministres për ish-presidentin.

E gati një muaj më vonë, pra më 20 tetor, ish-presidenti Thaçi kishte nënshkruar dekretin në fjalë duke kërkuar nga MPJD që të marrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Thaçi kishte dhënë dorëheqje me 5 nëntor pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Republika e Çekisë nuk do të jetë një vend i ri për djalin e deputetit Shala, ai në bazë të të dhënave në profilin e tij zyrtar në facebook është duke ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin e Pragës për Ekonomi dhe Biznes.

Shala është edhe menaxher për Kosovë në kompaninë çeke ’Elenor’ që nga gushti i këtij viti.

Sipas të dhënave të publikuara në webfaqen e kësaj kompanie, Flakron Shala ishte punësuar tri vite më parë në kompani si punëtorë i cili kishte propozuar strategji dhe ide për zhvillimin e biznesit dhe zgjerimit të kompanisë edhe në Kosovë.

Presidenti Thaçi para se ti ngritje aktakuza nga Gjykata Speciale dhe para e të dorëhiqej, kishte vendosur që t`ifalte edhe disa të burgosur për vrasje. 

Në lidhje me këtë emërim ka reaguar ushtruesja e detyrës së presidentit njëherësh edhe kryeparlamentraja Vjosa Osmani e cila ka paralajmëruar shfuqizimin e këtij vendimi.

 

Vjosa Osmani paralajmëron shfuqizimin e dekretit për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si konsull