Hapja e vendkalimit kufitar në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Foto: MPB

Hapet vendkalimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur sot ceremoninë e hapjes së vendkalimit kufitar në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, në pikën Restelicë-Strazimir.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky rajon ndërkufitar gjithmonë ka kultivuar marrëdhënie të veçanta mes  banorëve të dy vendeve .

“Bashkëjetesa e mirë e qytetarëve tanë nga dy zonat përkundër kufijve, na shtynë të angazhohemi për lehtësimin e zhvillimit të jetës dhe veprimtarisë së tyre. Duke njohur mirë këtë, jemi sot këtu të angazhuar si dy shtete që të lehtësojmë çdo procedurë që vështirëson zhvillimin dhe bashkëpunimin e tyre”, citohet të ketë thënë ai, njofton MPB-ja.

Sveçla ka shtuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar  të adresojë çështje me interes të  përbashkët për qytetarët e dy vendeve në mënyrë  proaktive dhe me projekte konkrete,  “dhe se ky është hapi i parë për rajonin që ka shumë potencial për turizëm që në të ardhmen do të ndihmojë edhe në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal”.

Kurse zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, theksoi se Qeveria e Kosovës me udhëheqjen nga Albin Kurti e ka si përparësi avancimin e jetesës së qytetarëve.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri Punëve të Brendshme i Maqedonisë së  Veriut, Oliver Spasovski,  i cili u shpreh se  bashkëpunimi me ministrin e  Punëve të  Brendshëm të Kosovë, për kalimin kufitar shënoi një gjë shumë të mirë për të dyja vendet duke përfshirë edhe patrullimet e përbashkëta.

“Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi deri më tani është i shkëlqyeshëm dhe hapja e sotme është bërë për kalimin kufitar që do të jetë i sigurt nga tipi lokal dhe që është në interes për qytetarët lokal dhe qarkullimin e tyre për çështje ekonomike apo private”, thuhet në komunikatë.