Zv.kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Zv.kryeministrja Rexhepi vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, u takua me ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi, ka zhvilluar vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Nga takimet që Rexhepi pati, tema kryesore u tha se ishte ratifikimi i Marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe njohja e dokumenteve të identifikimit, si pjesë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“U bisedua edhe për mundësitë e forcimit të lidhjeve kulturore dhe arsimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kjo vizitë është zhvilluar me ftesë të grupit parlamentar të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe me kërkesë të deputetit Shemsedin Mehmetoviq.

“Gjatë kësaj vizite, Rexhepi përveç takimit me Mehmetoviq, është pritur në takim edhe nga Dino Konaković, Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, Ministër i Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Benjamina Karić, kryetare e komunës së Sarajevës” – thuhet në njoftim.

Më 27 qershor 2023, gjatë seancës të mbajtur në Banja Llukë deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kanë votuar për të stopuar miratimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Me këtë vendim është ndaluar heqja e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, pavarësisht se për këtë çështje u arrit një marrëveshje për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor gjatë një takimi në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor të vitit 2022.

Të 64 deputetët e pranishëm votuan për këtë çështje. Që ky vendim të miratohej, kërkohej një shumicë prej dy të tretave të votave.

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga zyrtarët e Republikës Sërpska.

Republika Sërpska stopon miratimin e heqjes së regjimit të vizave mes Bosnjës dhe Kosovës