Arkiv

Hapet konkurs për Kryesues dhe 2 anëtarë të Bordit të ZRrE-së

Ministria e Ekonomisë ka hapur konkurs për pozitën e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe për dy (2) pozita të Anëtarit të këtij bordi.

Afati i konkurrimit për këto pozita është nga data 20 prill 2021 deri më datë 19 maj 2021.

Ndërsa sipas njoftimit të ministrisë ky konkurs është i hapur 30 ditë nga dita e publikimit.

Për pozitën e kryesuesit të bordit të ZRrE-së të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim të përhershëm në Kosovë, të ketë diplomë universitare në fushën teknike, të ekonomisë apo të drejtësisë nga një institucion i akredituar i arsimit të lartë, të ketë së paku dhjetë (10) vite përvojë pune në sektorin e energjisë, prej të cilave së paku pesë (5) vite përvojë në menaxhim në fushën e energjisë, të mos ketë dosje të hapur të hetimeve apo dosje të mëhershme të dënimit për vepër penale apo të ushtrojë aktivitete që mund të vënë në dyshim sinqeritetin, integritetin apo kompetencën e tij.

Kandidati për anëtar të Bordit duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim të përhershëm në Kosovë, të ketë diplomë universitare në fushën teknike, të ekonomisë apo të drejtësisë nga një institucion i akredituar i arsimit të lartë, të ketë së paku dhjetë (10) vite përvojë pune në sektorin e energjisë, të mos ketë dosje të hapur të hetimeve apo dosje të mëhershme të dënimit për vepër penale apo të ushtrojë aktivitete që mund të vënë në dyshim sinqeritetin, integritetin apo kompetencën e tij.

Ndërsa për këto pozita kandidatët nuk duhet të jetë zyrtarë qeveritar, të jetë pjesë e strukturave të një partie politike, të jetë vetë, ta ketë bashkëshortin/en apo ndonjë të afërm të familjes së ngushtë në cilësinë e aksionarit, partnerit, pronarit ose menaxherit në një ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet Ligjit Nr.05/L-084, apo në një ndërmarrje vartëse apo në një filial të një ndërmarrjeje të energjisë, të kryejë çfarëdo pune për ndonjë ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet Ligjit Nr.05/L-084, apo për ndonjë ndërmarrje vartëse, apo për ndonjë filial të një ndërmarrjeje të energjisë, të mbajë një pozitë tjetër në kuadër të Rregullatorit, të kryejë një aktivitet tjetër që mund të rezultojë në konflikt interesi sipas Kodit të Etikës Profesionale të hartuar dhe të miratuar nga Rregullatori, apo sipas ligjeve përkatëse.

Konkurset e mëhershme për këto pozita të punës ishin anuluar me datën 19 prill 2021.

Ky konkurs ishte anuluar me propozim të Qeverisë së Kosovës, e cila kishte shfuqizuar vendimin e qeverisë së kaluar  për propozimin e tre emrave për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Më 24 dhjetor 2020, ish-kryeministri Hoti kishte propozuar që t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës emrat e kandidatëve Vehbi Safiun, Luan Morina dhe Bekim Jakupi për kryesues të bordit të ZRrE-së.

Kryeministri Kurti deklaroi në mbledhje të Qeverisë se në mesin e kandidatëve të kësaj liste, ka pasur të atillë që nuk kanë përmbushur kriteret.

“Në mesin e kandidatëve ka edhe kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret në bazë të ligjit të Rregullatorit të Energjisë. Lista me emrat nuk përkon në tërësi me listën e ambasadës së Britanisë. Madje nga raporti i përgatitur nga partnerët dhe ai i komisionit vendor, ka dallime të mëdha. Ne e propozojmë marrjen e vendimin për anulimin e këtij vendimi”, tha kryeministri Kurti.