Haliti: Programi i Qeverisë më shumë shprehje dëshirash sesa forma për realizim

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur sot për planin qeverisës të prezantuar nga Qeveria Kurti 2.

Sipas tij, ky plan i Qeverisë është më shumë shprehje e dëshirave sesa forma se si do të realizohen planet e përmendura.

“Kam menduar që vërtetë si parti, si Qeveri e re me vizionin e saj do të vinte jo me një program i cili mund të realizohet ose jo, por kam menduar që do të bisedojmë bashkë dhe do të bëjmë jo program por do të realizonim një plan të paktën 20 deri 30 vjeçar për zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat. Po e shoh një kabinet me deputet që kanë qenë në sallë dhe nuk e di se çfarë asistence ka pasur programi sepse programi më shumë është shprehje dëshirash sesa prezantim i asaj se si dhe në çfarë forme do të realizohen”, ka thënë Haliti.

Ai tutje ka folur edhe për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, i cili ka thënë se është pro realizimit të tij.

“Vetingu kur flitet për të kam përshtypjen se elektorati por edhe mendësia e disave këtu i sheh hekurat e burgut ose prangat në duar , unë jam për veting por vetingun e kemi kaluar një herë si institucione, por ai veting nuk ka qenë i suksesshëm, por prapë se prapë po besoj se mënyra se si po prezantohet është tendencë për të marr në kontrolle drejtësinë.  Uroj që vërtetë të jeni të suksesshëm dhe të bëni të mundshëm realizimin e tij”, u shpreh Haliti.

Sot në Kuvendin e Kosovës po bëhet diskutim rreth planit e Qeverisë Kurti 2.