Gruaja në politikë - Foto: REL/Shutterstuck

Gruaja përballë linçimeve e propagandës publike 

Në orët pas paraqitjeve të rëndësishme publike apo pasi marrin një pozitë drejtuese gratë në Kosovë përballen me fushata linçimi e propagande.

Në mbrëmjen e 4 prillit të 2021-ës kur Vjosa Osmani- Sadriu ishte zgjedhur presidente e Kosovës, profesor-asistenti në Fakultetin Filozofik, Adrian Kastrati kishte publikuar një shkrim të shkrimtarit Faik Konica për të cilin në opinion u ngritën polemika për gjuhën seksiste dhe ofenduese.

“…një fshatarake me bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura e me një fytyrë të fryrë si piper i kuq i Ohrit”, kishte cituar Kastrati duke thënë se “ky shkrim satirik i botuar në gazetën ‘Dielli” në Stamboll për një zyrtare të Stambollit më bëri sonte të qesh me lot”.

Ndaj kësaj deklarate kishte reaguar sfera politike e aktiviste përmes reagimeve e linçimeve publike.

Madje, pas protestave të organizuara nga organizata për arsim “ORCA”, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është distancuar nga kjo gjuhë e Kastratit dhe e ka dërguar atë në Këshillin e Etikës.

Në një rast tjetër, më 12 prill 2021, trajneri i futbollit, Tahir Batatina gjatë një emisioni sportiv kishte përdorur gjuhë seksiste, fyese dhe paragjykuese ndaj gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani, duke e cilësuar atë të paaftë për profesionin e saj dhe duke e gjykuar për pamjen e saj.

“Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…” – iu kishte drejtuar Batatina Krelanit.

E linçimit publik nuk i shpëtoi as Dafina Demaku, kryeredaktore e portalit Periskopi dhe analiste e rregullt në televizionin KTV.

Madje, fushata linçuese ndaj saj u dënua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në disa video në rrjetin social Tik-Tok, Demaku përshkruhej si “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente të BIA-s serbe”, e AGK-ja tha se e dënon ashpër këtë fushatë undër Demakut, e cila e cenon direkt sigurinë e saj dhe të afërmve të saj.

Ilustrim: Pixabay

Pse gruaja prapë viktimë?

Mungesa e edukatës së pari, pastaj arsimimi i ultë dhe jo-emancipimi i duhur në raport me vlerat aktuale civilizuese e humane, e i përcjellë me vetëdije denigruese socio-komunikuese të respektit të ndërsjellë sipas sociologut Genc Xërxa e bën individin të përdorë linçimi ndaj gruas.

Xërxa thotë se kjo mbështetet në disa raste edhe në “kontekstin tonë kulturor patriarkal arkaik ku ai sistemi i prapambetur e sheh gruan të nënshtruar dhe gjithnjë të dominuar ndaj botës së burrave”.

“Pra një mënyrë “autoritare”, sikurse “ndaj një të nënshtruare” e që e bën komunikimin jo-njerëzor dhe shumë brutal e patologjik me atë lloj qasje! Kësaj mund t`i lidhet edhe stabiliteti i shëndetit mendor të abuzuesit potencial” – thotë Xërxa.

Qasja linçuese e propaganduese ndaj grave, sipas sociologut prapavijë ka së pari degradim të shëndetit mendor e nevojën për të dominuar ndaj gruas.

Gjuha linçuese është bërë diçka normale në vend, thotë aktivistja për të drejtat e grave, Neri Ferizi.

Ajo thotë se gjithsesi kjo gjuhë është më e shpeshtë tek gratë, pasi sipas saj gratë janë traget me i lehtë.

Sipas aktivistes, më e lehtë për të linçuar gratë është edhe fakti që një pjesë e grave i ikin konfrontimit duke e ditur se në çfarë ambienti jetojnë dhe se me çka mund të përballen pastaj.

“Kjo gjuhë ndaj grave, kryesisht bëhet prej burrave. Ata duke qenë komfort me privilegjet që ata i gëzojnë e që ua ofron sistemi patriarkal, normalisht që e shfrytëzojnë mjetin e linçimit e propagandës për t’i arritur qëllimet e tyre e po ashtu, edhe për t’i mbuluar pasiguritë që ata i kanë” – thotë Ferizi.

Ferizi tregon se edhe vet ka qenë pjesë e linçimeve publike, e ajo thotë se përpos saj në këto raste janë përfshirë edhe familjarët e saj.

“Njëherë një lider religjioz merr përsipër – për shkak të një aksioni në qytet dhe për shkak të qëndrimeve të mija – filloi të ju shkruaj njerëzve të m`i të afërt dhe atyre që unë punoja me ta ‘që të më ndalin, dhe se qëndrimet e mija janë të dëmshme për shoqërinë” – kujton aktivistja.

Përpos kësaj, ajo thotë se personi në fjalë atë në publik e quante të degjeneruar, e madje Ferizi thotë se personi i njëjtë edhe sot vazhdon të komentoj rreth saj dhe mënyrës se si ajo po tenton përmes agjendave të ndryshme ta ndryshoj strukturën e shoqërisë.

Lidhur me këtë temë, psikologja klinike Antigona Idrizi tha për KALLXO.com se gjuha linçuese ndaj grave në tërësi, por specifikisht në kontekstin kosovar, përdoret për shkaqe të ndryshme, të cilat sipas saj ngërthejnë më vete ndikimet kulturore patriarkale, stereotipat mbi baza gjinore, normat sociale që dominojnë në krijimin e një perceptimi jo adekuat mbi gratë dhe rolin e tyre në shoqëri. 

Ajo thotë se këtu ndikojnë edhe faktorë tjerë individual dhe kontekstual, që variojnë varësisht rastit.

“Kjo gjuhë që në thelb përçon emocione negative, frikë dhe përdoret për të ulur vlerat dhe për të minimizuar rolin e grave si anëtare të barabarta dhe kontribuuese produktive në zhvillimin e shoqërisë në secilin sektor” – thotë ajo.

Psikologja shton se një gjuhë e tillë përdoret nga persona të ndryshëm pa dallim gjinie apo etnie, të edukuar nën frymën patriarkale dhe maskiliste.

Madje Idrizi thotë se këtij fenomeni shpesh i kontribuojnë edhe masmediat dhe institucione të tjera qofshin publike apo private.

Foto ilustruese

Masat për të parandaluar linçimin

Sociologu Genc Xërxa tregon se cilat janë hapat që duhet shoqëria jonë të ndërmarr me qëllim që të ndalohet linçimi.

“Së pari nevojitet që të merren masa institucionale të parandalimit të fyerjes publike, sanksionime me gjoba apo privim nga liria nga resorët e drejtësisë, pasi kjo pastaj lidhet edhe me sigurinë e individit apo gruas në rastin tonë” – thotë Xërxa.

Tutje ai shton se nëse një gruaje i bëhen fyerje apo linçime publike ato mund të agravojnë skajshmërisht pastaj deri në kërcënime me eliminim.

Hapi tjetër për parandalim të linçimeve publike Xërxa thotë se është që t’u merret e drejta për t`u shprehur apo qasur në platforma direkt me publikun.

“Disa aplikacione të rrjeteve sociale aty ku më së shumti janë të shprehura këto dukuri negative kanë krijuar leva të sigurisë apo bllokime ndaj komentuesve jo të ndërgjegjshëm për të parandaluar sado që është e mundur” – thotë ai.

Sipas sociologut, masat që duhet të merren me qëllim të përballimit të linçimit janë që në raste të tilla personi i linçuar duhet ta marr sa me më sportivitet të gjithë ngjarjen me qëllim që ta ruajë psiqikën dhe shëndetin.

Ai thotë se duhet të raportohet secila shkelje e tillë tek institucionet relevante menjëherë.

“Të vazhdojë me vetëbesim të plotë të jetoj jetën e saj, t`i injoroj sa më shumë që ka mundësi ato dukuri negative dhe nëse është e mundshme të largohet nga ato hapësira toksike sa më parë, pra nga ato vende aty ku ajo paragjykohet, linçohet, stereo-tipizohet apo ngacmohet” – thotë ai.

Ndër të tjera, Xërxa shton se gruaja e linçuar nevojitet të qëndrojë gjithnjë në vend të shëndetshëm, pra aty ku respektohet dhe çmohet roli i saj në sferën private po ashtu edhe publike.

Ndërsa, Neri Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave që edhe vet ka qenë e linçuaar publikisht, për KALLXO.com ka thënë se masat që ka marr ndaj personave që kanë kryer këtë vepër në drejtim të saj deri më sot ka qenë injorimi.

Mirëpo, aktivistja thotë se së fundmi është duke e konsideruar që me persona të tillë të përballet edhe me gjykatë, pasi ajo beson se kjo do t’i bënte ata të mendojnë dy herë kur duan të linçojnë dikë.  

Psikologia Idrizi në anën tjetër thotë masat për parandalimin e kësaj vepre duhet të fillojnë nga zanafilla, me agjencinë e parë të socializimit, që është familja. 

Ajo thotë se fëmijëve duhet të ju ofrohet një ambient i hapur për komunikim dhe i sigurt, në të cilën u ofrohen modele nga prindërit të sjelljeve pro-sociale dhe jo-diskriminuese mes gjinive. 

Psikologja thotë se kjo bën që fëmijët të edukohen në frymën e barazisë dhe parimeve tjera që prodhojnë individ të shëndoshë në shoqëri. 

Masë tjetër që duhet të merret Idrizi thotë se është që të kontribuohet në ngritjen e kapaciteteve të shkollave, mësimdhënësve dhe institucioneve tjera relevante duke bërë edukimin dhe ndërgjegjësimin mbi ndikimin e gjuhës linçuese dhe pasojat psikologjike. 

Ajo gjithashtu thotë se ligjet dhe politikat që ndalojnë diskriminimin dhe gjuhën linçuese në çdo sferë të shoqërisë, duhet të monitorohen që të implementohen nga instancat shtetërore. 

Psikologja Idrizi thotë se trajtimi psikologjik, në kuadër të këtyre përvojave të pakëndshme është i domosdoshëm në rastet kur ky ndërveprim ndikon në mirëqenien psikologjike të grave, përtej përpjekjeve vetanake për të menaxhuar situatat e tilla.

Ajo thotë se nëse ky veprim i prodhon de-stres psikologjik dhe afekton duke ulur funksionalitetin në rutinën ditore, këshillimi me një profesionist të shëndetit mendor ndikon pozitivisht në rritjen e mirëqenies dhe ndërtimin e mekanizmave ballafaques dhe strategjive efektive të reagimit, kundrejt situatave stresuese.

Pasojat që sjellë linçimi 

Genc Xërxa, sociolog, shpjegon edhe pasojat që vijnë nga linçimi që iu bëhet grave në publik, e jo vetëm.

“Linçimi ndikon shumicë e rasteve negativisht! Në luhatje humori, disponimi, pastaj me raste humbje vetëbesimi e varësisht nga atakimi, mund të shkoj edhe deri në depresion” – thotë sociologu, teksa shton se këto atakime publike grave mund t’ju bëjnë mjaftë dëm në aktivitetin e tyre rutinor e edhe ditor.

Ai madje thotë se linçimi apo sulmet e ndryshme me nuanca etiketuese ndaj gruas mund të shkojnë aq larg, ku nga presioni i vazhdueshëm psikologjik i përcjell pastaj edhe me depresion kronik, t`i bëjë dëm viktimës sa që nëse nuk trajtohet me kohë nga profesionist terapeutik, kjo punë ta dërgojë atë edhe deri në fatalitet. 

“T’i bëjë keq vetes, apo ta sulmojë dikush” – thotë Xërxa.

Ai thotë se tek disa gra mund ta marrin më shtruar linçimin dhe mund ta tejkalojnë më lehtë, por Xërxa thotë se kjo varet edhe prej pasojave apo kostos, se linçimi çfarë “dëmi” ka bërë në jetën e saj private dhe publike.

Ndërsa për nga pjesa psikologjike, psikologja Idrizi thotë se përvoja të linçimit bëjnë që grave t’iu afektohet gjendjen e tyre emocionale, psikologjike dhe formësimin si qenie njerëzore.

“Gjuha linçuese ndikon negativisht në mirëqenien psikologjike, komponentin e besimit mbi vetën dhe tjerët si dhe vetëvlerësimin e grave” – shprehet Idrizi teksa shton se gjuha e tillë mund të shkaktojë ndjenja të paaftësisë, stresit, izolimit, ankthit dhe të pengojë marrëdhëniet pozitive ndërpersonale.

Madje, ajo thotë se mund të krijohen edhe pengesa në arritjet personale dhe profesionale në karrierë.

“Mbyllja më vete dhe izolimi, ndjenja fajësisë, nënçmimit, frikës dhe elemente tjera, që ndodhin në mënyrë konsistente, shpesh janë parakusht që mund të dërgojnë një person të përjetoj edhe çrregullime të depresionit, ankthit, stresit postraumatik, që kërkojnë domosdo edhe mbështetje psikosociale por edhe përkrahje nga profesionisti shëndetit mental” – shprehet psikologja.

Gjykata, ilustrim
Foto: Pixabay

Ligji nuk parasheh dënim të veçant 

Në Kosovë nuk ka vepër të posaçme penale që dënon linçimin apo propagandën. Mirëpo, raste të tilla që ndodhin në vend manifestohen me vepra të tjera penale.

Një vepër e tillë penale është ajo e nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Statistikat që Policia e Kosovës ka ndarë me KALLXO.com tregojnë se gjatë vitit 2022 në Kosovë janë raportuar gjithsej 11 raste të tilla, ndërsa vetëm në tre mujorin e parë të vitit aktual në vend janë raportuar katër raste.

Neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës tregon se çfarë dënime merren nëse dikush kryen këtë vepër penale.

Paragrafi i parë i këtij neni thotë se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Ndërsa paragrafi i dytë thotë se kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën në fjalë ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Paragrafi i tretë thotë se kushdo që që kryen këtë vepër penale përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Dhe paragrafi i fundit tregon se kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi i tretë i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.