Gjuha fyese e Ardian Kastratit, paralajmërohet protestë ndaj tij

Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, ka bërë të ditur se nesër në ora 11:00 do të mbahet një protestë simbolike me kërkesën për përjashtimin nga stafi i Universitetit të Prishtinës të profesorit, njëherazi deputet i PDK-së, Ardian Kastrati.

Kastrati përmes një publikimi në Facebook ka fyer presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmanin.

“Pas një konsultimi të aktivistëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor. Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.

 

Ndaj gjuhës së deputetit të PDK-së ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ajo në Facebook ka shkruar se gjuha e përdorur e një deputeti të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe një profesori universitar, është gjuhë e nivelit të ulët e cila duhet të dënohet dhe kundërshtohet fuqishëm.

“Kjo gjuhë flet shumë për mendësinë që ka ky person dhe në mënyrë të natyrshme rrjedh pyetja se çfarë roli mund të ketë ky person për qytetarët si përfaqësues dhe për studentët si profesor! Në këtë Republikë që u la me gjak, për lirinë për të cilën edhe gratë e vajzat luftuan, ku ka edhe të tilla gra që dhanë jetën, nuk ka vend për seksistë e mizogjenë që fyejnë gra të fuqishme e të zonja vetëm pse ata vetë janë të pafuqishëm.

Kjo gjuhë e deputetit të Republikës sonë kërkon reagim e dënim. As këtij personi dhe askujt tjetër nuk do duhej t’ja lejonim ta keqpërdornin hapësirën publike për t’na fyer e sharë”, ka shkruar Haxhiu.