Foto: REL

Grenell: Nuk është folur për shkëmbim të territoreve nga unë dhe në praninë time

Emisari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se asnjëherë nuk është folur për shkëmbim të territoreve nga ai, dhe një gjë e tillë asnjëherë nuk është diskutuar në praninë e tij.

“Nuk është folur absolutisht për shkëmbim të territoreve nga unë dhe asnjëherë nuk është diskutuar nga askush tjetër në praninë time. Ne e kemi thënë këtë shumë herë”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Ai i është përgjigjur një postimi të Jasmin Mujanoviq në Twitter.

Mujanoviq kishte shkruar se Kurti ka thënë se bisedimet për shkëmbimin e territoreve kanë filluar që nga koha e Federica Mogherinit dhe se me këtë po merreshin direkt nga Vuçiq dhe Thaçi.

“Grenell e zgjodhi këtë ide dhe ka vazhduar të bëjë presion në bllokun e Kurtit për t’u pajtuar me atë që ai (Kurti) mendon se është një hap i shpejtë i pamatur”, ka shkruar Mujanoviq i cili është autor i librit “Kriza e Demokracisë në Ballkan”.

Dje, Grenell ka paralajmëruar rifillimin e dialogut.

Grenell paralajmërimit të tij për rifillim të dialogut ia ka bashkangjitur edhe postimin e presidentit Thaçi për formimin e Qeverisë së re.

“Porsa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, ka shkruar ai në Twitter.