Grenell: Duam t’i japim punë dhe zhvillim ekonomik popullit të Kosovës

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, tha në një prononcim për media para një darke pune me presidentin Hashim Thaçi se interesi i tij është që t’i japë punë dhe zhvillim ekonomik popullit të Kosovës.

Grenell deklaroi se populli i Kosovës e meriton të ketë vende të reja të punës dhe të ardhme të ndritur.

“Çfarë unë mundohem të bëj është që të shikojmë të gjitha çështjet që kanë mbetur në tryezë dhe që kanë të bëjnë me ndikim ekonomik. Do t’i shtyjmë të dy qeveritë dhe liderët edhe në Kosovë edhe në Serbi, për të avancuar me punë. Komuniteti i biznesit në ShBA dhe në Europë, do të donte të vinte në këtë rajon, në një masë më të madhe”, tha Richard Grenell.

Grenell deklaroi se janë disa ide të cilat do të ndikojnë në shtytje ekonomike dhe vende pune dhe se Kosova e Serbia duhet të avancojnë në një drejtim më të gjerë të punës së përbashkët, për popujt e të dyja vendeve.

Ambasadori Grenell citoi shefin e tij, presidentin Trump, të ketë thënë se kur njerëzit krijojnë biznese të reja, e me këtë krijohen edhe punë të reja, konfliktet politike zvogëlohen.