Gjyqtari Beqir Kalludra |Foto: KALLXO.com

Gjyqtari Kalludra krye në vete nuk lejon monitorimin e seancës gjyqësore

Beqir Kalludra, gjyqtar i Gjykatës së Prishtinës për ditën e dytë me radhë nuk ka lejuar monitorimin e një seance gjyqësore.

Monitorueses së KALLXO.com sot nuk i është lejuar monitorimi i seancës në një rast të falsifikimit të parasë.

Dje KALLXO.com ka pranuar përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës se në vendimin e datës 29 maj  në lidhje me masat mbrojtëse ndaj COVID-19 parashihet vetëm kufizimi i publikut e jo i mediave dhe monitoruesve.

Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyqi.

Sot, gjykatësi Beqir Kalludra me fillim nga ora 9 e 30, ka hyrë në sallë për të mbajtur shqyrtimin fillestar në një proces penale për veprën penale falsifikim i parasë.

Seanca është mbajtur në sallën numër 16,  edhe pse salla numër 17  e që është salla më e madhe në Pallatin e Drejtësisë pasi që numëron 65  ulëse, ishte e lirë.

Në seancë po ashtu do të kishte pasur hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur distancën sociale.pasi që  seanca e sotme  është shqyrtim fillestar dhe pjesmarrës janë vetëm  kryetari i trupit gjykues, procesmbajtësja, i akuzuari, prokurorja e rastit si dhe ka qenë vetëm një monitorues nga KALLXO.com që ka insistuar të monitorojë seancën prapë nuk është lejuar.

Pra në sallën e gjykatës  ka hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur distancën sociale të 5  personave pa rrezikuar shëndetin e asnjërit.

Gjykatësi Beqir Kalludra i tha monitorueses se nuk lejohet pjesëmarrja në seancë sepse “nuk ka pranuar asnjë vendim me shkrim që lejohet prania e juaj dhe monitorimi i seancës”

Ai tha se megjithë njoftimin nga Kryetarja e Gjykatës lidhur me kufizimin e publikimit, sipas tij ajo ka lënë në diskrecion të gjyqtarëve të vendosin për lejimin ose moslejimin e monitorimit.

Duhet theksuar se monitoruesit e KALLXO.com janë lejuar që të monitorojnë seancat e udhëhequra nga gjyqtarë të tjerë të kësaj gjykate.