Gjyqi ndaj Shalës, përfundon seanca e sotme dëshmitari pritet të deklarohet edhe nesër
Në Dhomat e Specializuara ka përfunduar seanca e së martës në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Shala i njohur me nofkën e luftës komandant “Ujku” po akuzohet për krime lufte kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.
Sot ka filluar dëshmia e dëshmitarit të shtatë (me kodin TW4-01), i cili pritet të vazhdojë dëshminë edhe nesër.
Gjatë ditës së sotme, dëshmitari i është përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilët kanë planifikuar 12 orë për pyetjet ndaj tij.
Pjesa e fundit e dëshmisë së këtij dëshmitari gjatë ditës së sotme ka qenë në sesion privat.
Seanca e radhës në këtë çështje do të vazhdojë nesër, më 31 maj.
Paraprakisht dëshmitari i cili mban kodin TW4-01ka deklaruar se në maj të vitit 1999 ka shkuar në shtab, në Kukës, ku ishte takuar me Pjetër Shalën.
I njëjti ka përshkruar shtabin – magazinën ku ai ka qëndruar për disa ditë.
Një pjesë e dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të shtatë është redaktuar për publikun, ndërsa pjesa e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun.
E për këtë Shala ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mënyrën e prezantimit të dëshmitarit të mbrojtur.
“Nuk jam dakord me Prokurorinë… derisa nuk përmenden emrat dhe identiteti i dëshmitarëve ta bëjmë gjithë seancën publike”- ka reaguar Shala.
Pasi dëgjoi këtë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ndërpreu Pjetër Shalën dhe vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur.
Pjetër Shala ka ndjekur procesin gjyqësor nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Krimet për të cilat ngarkohet Shala pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që sipas Prokurorisë u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.
Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.
Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.
Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.