Gjykimi per tentimvrasjen ne Moron

Gjykimi për Tentimvrasje në “Moron”, Dëshmojnë Klientët e Klubit

Në gjykimin për plagosjen e punëtorit në klubin “Moron” ku edhe kishte ndodhur rasti, dëshmoi një kliente që kishte frekuentuar klubin në fjalë në natën kritike.

Naxhie Sadiku kishte qëlluar rastësisht në lokalin “Moron” me shoqet e saja në një tavolinë afër të akuzuarit Shpend Osmani, në mëngjesin e 20 janarit të vitit 2017.

Ajo theksoi se personalisht nuk i njeh të akuzuarit e rastit, por ka parë të akuzuarin Shpend Osmanin derisa ishte duke u munduar të qetësojë situatën në mes të shokut të tij (Erduan Hasani) dhe disa personave tjerë në lokal.

“Ne ishim në tavolinë dhe disa tavolina më larg nuk e di për çfarë u rrokën shoku i Shpendit me ata. Unë e kam parë se sigurimi e kanë qitur jashtë shokun e Shpendit. E kam parë shpendin t`u ndërhyrë që mos me u rrokë mes vete. Kur kam dalë jashtë e kam parë shokun e Shpendit me gjak në hundë. Unë nuk i di se kush i ka shkaktuar lëndime”, tha Sadiku.

Aktualisht, Erduan Hasani, i cili është i akuzuar për këtë rast për vrasje të rëndë në tentativë, gjendet në arrati.

Ajo theksoi se shokun e Shpendit (Erduan Hasanin) e nxorën jashtë nga klubi sigurimi, ndërsa Shpendi kishte dal vet.

Në fund të seancës, avokati i Shpend Osmanit, Musa Damati, i propozoi gjykatës që Shpendit t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, e të ia zëvendësonte me atë të paraqitjes në stacion policor, “si masë e përshtatshme dhe e mjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurave penale”.

Trupi gjykues mori aktvendim përmes së cilit aprovoi kërkesën e mbrojtjes.

Në seancën e radhës që u caktua në muajin prill, do të dëshmojë shoqja e Naxhies, Enisa Trena, e cila ishte në tavolinë me Naxhien në natën kritike.

Në janar të këtij viti, sipas aktakuzës, Shpend Osmani e Erduan Hasani pas një mosmarrëveshjeje me pronarët e klubit të natës “Moron” në Prishtinë, kishin udhëtuar drejt Mitrovicës ku e kishin marrë një armë.

Me dy makina, “të përforcuar” edhe me dy persona tjerë- Zekirja Brobaniqin e Ermal Rashicën ata ishin rikthyer te klubi i natës “Moron” për të qëruar hesapet me pronarët e klubit.

Prokuroria pretendon se nga njëra prej makinave Shpend Osmani e Erduan Hasani kishin shtënë drejt klubit të natës, duke e plagosur Mehdi Shaljanin, i cili në atë kohë po pastronte lokalin, ndërsa kishin rrezikuar edhe personat tjerë.

Më pas tash të akuzuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes për t’u ndaluar pastaj nga Policia që u kishte gjetur një revole plastike dhe disa gëzhoja nga predhat e shkrepura.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/gjykimi-per-plagosjen-ne-klubin-moron/