Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi në Hagë, dëshmitari: Disa burra me uniforma të UÇK-së i morën të afërmit e mi

Në gjykimin e Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale, dëshmitari i pestë i Prokurorisë ka rrëfyer për rastin kur, sipas tij, disa burra me uniforma të zeza dhe emblema të UÇK-së morën të afërm të tij.

“Doja t’i dilja para makinës që t’i shihja se dëgjova krismat, dhe i kishin marrë të afërmit e mi në një makinë” – tha dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën 3165.

Ai deklaroi se këta persona kishin uniforma të zeza me emblemën e UÇK-së dhe maska të zeza në fytyrë.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë nesër.

Paraprakisht, Gjykata ka marrë vendim  që të zbatohet parimi i publicitetit e në këtë rast.

Urdhri është lëshuar pas shqetësimit të trupit gjykues se të gjitha provat janë dëgjuar në seanca private dhe të mbyllura deri më tani.

“Urdhërohen të angazhohen diskutime inter-partes për këtë çështje dhe deri më 31 maj 2023 të sigurohet zgjidhje për të garantuar publicitet më të madh të këtyre procedurave”- ka thënë Smith.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi gati dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 3 prill 2023.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.