Gjykata vendos për dy zyrtarët e Suharekës që dyshohen për keqpërdorim të tenderit mbi 70 mijë euro

Gjykata e Prizrenit ka vendosur t’i lë në arrest shtëpiak edhe për 30 ditë dy zyrtarët e Komunws sw Suharekës, Berat Kabashi dhe Enver Shabani, të dyshuar për keqpërdorim në një tender.

Shabani dhe Kabashi janë arrestuar me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra-mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Arresti shtëpiak sipas Gjykatës do të zgjasë deri më datë 28 nëntor të këtij viti.

Në vendim theksohet se të pandehurit pa lejen e gjykatës nuk guxojnë të largohen nga adresat ku ata e kanë vendbanimin, përkatësisht shtëpitë e tyre.

Sipas gjykatës, mbikëqyrjen e kësaj mase do ta bëjë Stacioni Policor në Suharekë e nëse të pandehurit nuk i përmbahen kësaj mase atëherë do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.

Vazhdimi kësaj mase është kërkuar nga prokurori Petrit Kryeziu ndërkaq gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha, e ka aprovuar.

Paraprakisht, Gjykata e Apelit, me vendimin e 28 shtatorit 2023, aprovoi si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve, duke zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtari komunal, Berat Kabashi janë arrestuar më 22 gusht me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Të dyshuarit, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës, vlera e së cilës sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.

Në dosje tutje thuhet se të pandehurit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në terren kontrata nuk është realizuar.

Sipas Prokurorisë të pandehurit Enver Shabani dhe Berat Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”, në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

Për këto veprime, të pandehurit sipas Prokurorisë Komunës së Suharekës, i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 centë.

Me këtë, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.