Ilustrim

Gjykata vendos për 28-vjeçarin nga Skenderaj që u kap me rreth 60 kg marihuanë

Gjykata e Mitrovicës i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit nga Skenderaj që u kap me rreth 60 kg marihuanë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Lumnije Surdulli.

Prokuroria e Mitrovicës më 16 gusht ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin E.A., 28-vjeçar, nën dyshimin për shitblerje e narkotikëve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në shtëpinë e të dyshuarit ishin gjetur afër 60 kilogramë të llojit marihuanë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari E.A., prej datës të pacaktuar e deri me datë 15.08.2023 në fshatin Vajnikë – Komuna e Skenderajt, në shtëpi dhe objektet përcjellëse, me qëllim shitje apo shpërndarje, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë të tërësishme prej 59 kilogramë e 973 gramë”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Gjatë këtij operacioni ishte arrestuar i dyshuari E.A., i lindur në vitin 1995 dhe i njëjti ishte ndaluar për 48 orë.