Gjykata Speciale flet për vizitën e Kadri Veselit në Kosovë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka ardhur nga Haga në Kosovë.

Nga Gjykata Speciale kanë bërë të ditur për KALLXO.com se Veseli erdhi në Kosovë për t’i takuar familjarët.

Në përgjigjen me shkrim theksohet se Veseli vazhdon të mbetet në paraburgim.

“Për arsye humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake udhëzoi Sekretarin që të menaxhojë një vizitë në Kosovë për z. Veseli për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara.

Tutje është theksuar se për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Veselit nuk mund të japin asnjë informacion shtesë për vizitën e Veselit në Kosovë.

Kadri Veseli ka arritur sot në Kosovë nën përcjelljen e veturave të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Veseli ka ardhur në Kosovë pak ditë pas vdekjes së nënës së tij, Ajshe Veseli.

Kadri Veseli dhe udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në pritje të gjykimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ngritura  nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.