Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e tenderëve e kthen në rivlerësim tenderin e MASh për blerjen e 5 mijë tabletëve

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka kthyer në rivlerësim tenderin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për blerjen e 5,000  tabletëve, furnizim për digjitalizimin e shkollave me pajisje të shërbimeve online për shkollat e të verbërve.

Gjykata e tenderëve vendimin e marrë më 21 tetor, e ka marrë si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Botek Sh.P.K”, duke kërkuar që ky tender të kthehet në rivlerësim nga ana e Ministrisë.

“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit profesional, deklarimit të palëve në procedurë,  diskutimeve dhe shoshitjes së provave në tërësi gjatë seancës për shqyrtim kryesor, sqaron se ankesa është parashtruar kundër njoftimit për dhënie të kontratës”, thuhet në vendimin e OShP-së.

OShP pas trajtimit të të gjitha pretendimeve të operatorit ka ardhur në konstatim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tendërvë nuk është bërë konform Nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Njëkohësisht nuk është respektuar neni 1, 6, 7, 59 e 72 si dhe neni 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, thuhet më tej.

Pretendimet e kompanisë së eleminuar

Operatori “Botek” ka bërë ankesë në OSHP, duke pretenduar se ministria ka bërë shkelje të ligjit.

Si përmbledhje, operatori në drejtim të panelit të OShP-së ka thënë se MASh ka vepruar në kundërshtim me parimet themelore të prokurimit publik, duke eliminuar operatorin ekonomik i cili ka çmimin më të lirë në treg.

“Bazuar në të cekurat gjejmë se AK me rastin e vlerësimit dhe rishqyrtimit të tyre të këtij aktivitetit të prokurimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 7, neni 1, neni 6, nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhej më tej në ankesën e tyre.

Operatori “Botek” po ashtu kishte thënë se MASh ka eliminuar nga gara operatorin më të lirë dhe ka përzgjedhur operatorin më të shtrenjtë.

“AK si kriteret të saj për dhënien e kontratës është përcaktuar për tenderin e përgjegjshëm me çmim më të ulët ashtu siç e parasheh neni 52 të LPP, por në praktik është e kundërta me veprimet e saja AK e eliminon ofertën përgjegjshme me çmim më të ulët (823,500 euro apo 165 euro/copë) dhe propozon për kontratë një ofertë tej mase më të lartë 1,139,400 euro apo 227 euro/copë, rrjedhimisht 38% më të lartë…” thuhej më tej në ankesën e Botek.

Kompania po ashtu pretendonte se edhe OE i rekomanduar për kontratë nuk i plotëson të gjitha kërkesat që dalin nga Dosja e Tenderit.

Historiku i tenderit

Ky tender nga ana e Ministrisë, për lotin e parë, përkatësisht për blerjen e 5,000 tabletëve e kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin “Infosoft Systems” & “FutureBITS”, të cilët kishin ofruartuar me çmimin prej 1,139,400 euro, ndërsa i kishte eliminuar nga gara dy operatorë të tjerë që kishin ofertuar përreth 300 mijë euro më lirë.

Pra, ministria e kishte rekomanduar për kontratë operatorin që ka ofertuar 227 euro për një tablet me 10.1inch.

Operatori ekonomik “Ilir-Kosova” kishte ofruar 820,880 euro, ndërsa “Botek” kishte ofertuar 823,500 euro.

Pas kësaj, kompania “Botek” kishte bërë ankesë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por se pretendimet e tyre nuk ishin marrë për bazë dhe kishin vazhduar ankimimin në drejtim të Organit Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se ministria e Arsimit e ka shkelur ligjin e prokurimit kur i ka eliminuar nga gara.

Tenderi Ministrisë së Arsimit për blerjen e 5,000 tabletëve përfundon në Gjykatën e Tenderëve

.