Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tenderi Ministrisë së Arsimit për blerjen e 5,000 tabletëve përfundon në Gjykatën e Tenderëve

Tenderi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për blerjen e 5,000 copë tabletëve, furnizim për digjitalizimin e shkollave me pajisje të shërbimeve online për shkollat e të verbërve, edhe pse është raportuar si kontratë e nënshkruar, është pezulluar pas ankesës në Gjykatën e Tenderëve.

Kjo ministri për lotin e parë, përkatësisht për blerjen e 5,000 tabletëve e ka rekomanduar për kontratë konsorciumin “Infosoft Systems” & “FutureBITS”, të cilët kishin ofruartuar me çmimin prej 1,139,400 euro, ndërsa i ka eliminuar nga gara dy operatorë të tjerë që kishin ofertuar përreth 300 mijë euro më lirë. Pra, ministria e ka rekomanduar për kontratë operatorin që ka ofertuar 227 euro për një tablet me 10.1inch.

Operatori ekonomik “Ilir-Kosova” kishte ofruar 820,880 euro, ndërsa “Botek” kishte ofertuar 823,500 euro.

Kompania Botek, pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke pretenduar se ministria e Arsimit e ka shkelur ligjin e prokurimit kur i ka eliminuar nga gara.

Blerja e 5,000 tabletë

Pas raportimeve në media se ministria e Arsimit ka eliminuar nga gara dy kompanitë me çmimin më të ultë, KALLXO.com ka shikuar arsyet e eliminimit. Ministria pretendon se kompania Botek nuk i plotëson disa kritere të dosjes së tenderit.

“Nuk plotëson specifikimet teknike të detyrueshme të kërkuara në Ankesin 1 në dosjen e tenderit në mënyrë që të përputhen me qëllimin e prokurimit siç janë: kualiteti, sigurimi i kualitetit, performanca, testimi dhe metodat e testimit, sigurimi. Specifikimet teknike janë të kërkesa të obligueshme, të cilat të gjithë tenderët duhet të respektojnë në mënyrë që të jenë të përgjegjshëm sipas nenit 20.9 te rregullave dhe udhëzuesit operativ për prokurimin publik”, thuhej në arsyetimin e Ministrisë.

Në lidhje me këto konstatime, operatori ekonomik “Botek” është ankuar në Ministri të Arsimit duke dhënë versionin e saj dhe duke deklaruar se Ministria ka bërë një sërë shkeljesh të neneve të Ligjit të Prokurimit Publik, që kanë të bëjnë me barazinë në trajtim, ekonomicitetin, ekzaminimin dhe vlerësimin e tenderëve, informacionet shtesë e të tjera.

Kompania “Botek” ka dhënë përgjigje për secilin pretendim të ministrisë së Arsimit.

“Një “Brand” (Emërtim/Emër produkti, apo prodhuesi etj) edhe mund të mos e njihni ju si MASHT dhe mund te mos e gjeni ne lista të ndryshme Jo-formale nëpër Internet, por aj mund të jetë një Brend i njohur dhe mirënjohur në Koren e Jugut dhe është njëri nga prodhuesit dhe Furnitori kryesor i Qeverisë së Koresë Jugore të tabletave për shkollat ne Kore”, thuhet në ankesën e tyre.

Ministria e Arsimit thotë se operatori nuk plotëson specifikimin minimal të detyrueshëm të kërkuar për procesorin si dhe materiali i tabletit nuk ka qenë metal, siç kanë kërkuar në tender.

“Nuk ka ofruar fare materialin ne broshurën e ofruar nga OE dhe as ne linkun e broshurës qe ka bashkangjitur për verifikim dhe si e tillë nuk  plotëson këtë specifike teknike të kërkuar në dosjen e tenderit; Për me tepër edhe në linkun e ofruar ne broshurën e OE nuk e plotëson ketë specifik teknike te kërkuar”, thuhej më tej në arsyetimin e ministrisë për eliminim të kompanisë Botek.

Sa i përket materialit të kërkuar, operatori Botek thotë se tableti i ofertuar nga ta i plotëson kriteret e dosjes së tenderit.

“Ne, në ofertën tonë e kemi dorëzuar Deklaratën shtesë të plotësuar nga ne si OE ku qartësisht konfirmojmë se i përmbushim të gjitha kërkesat në ANEXIN 1 të DT duke specifikuar ne detaje teknike produktin e ofertuar nga dhe ku qartësisht shkruan se Materiali i Tabletit është METAL. Pra, Ju ne ketë rast keni konstatuar diçka të pavërtetë dhe e cila askund NUK shënon. Ne Rikonfirmojm se Produkti i Ofertuar nga ne i përmbushë kërkesën sipas dosjes së tenderit dhe Materiali i Tabletit është Metal”, thuhet më tej.

Arsyetim tjetër sipas ministrisë ka qenë edhe mungesa e ofrimit të gradacioni për dy vite si dhe operatori nuk ka ofruar fare mbushësin apo Adapterin.

“Garancion 2 vite – nuk ka ofruar garancionin në specifikimet teknike në broshurën e ofruar nga OE, gjithashtu garancioni nuk ceket as në linkun e bashkangjitur të broshurës se OE”, thuhej më tej.

Por, “Botek” në ankesën e saj ka deklaruar se kanë dorëzuar edhe garancion dy vjeçar të produkteve si dhe kanë sqaruar në dosjen e tenderit kanë përshkruar se produkti i ofertuar, tabletet, ka mbushësin.

“Pra, jo vetëm kjo pikë por të gjitha pikat e ngritura nga ana juaj dalin të jenë të pasakta dhe pabazuara në asnjë fakt të vetëm”, thuhet në ankesë.

Ministria e Arsimit e ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë Botek.

“Ne si AK kemi shqyrtuar në detaje pretendimet ankimore të parashtruesit të Kërkesës për Rishqyrtim, Operatori Ekonomik “Botek ShPK”, dhe kemi konstatuar se AK-MAShT nuk ka bërë asnjë shkelje të pretenduara nga parashtruesi i kërkesës dhe mbesim parapa vendimit të datës 28.08.2020”, thuhet në përgjigjen e MASh për ankesën e “Botek”.

Ankesa në OShP

Pas refuzimit të ankesës nga ana e Ministrisë, operatori “Botek” ka bërë ankesë në OSHP, duke pretenduar se ministria ka bërë shkelje të ligjit.

Si përmbledhje, operatori në drejtim të panelit të OShP-së ka thënë se MASh ka vepruar në kundërshtim me parimet themelore të prokurimit publik, duke eliminuar OE, i cili ka çmimin më të lirë në treg.

“Bazuar në të cekurat gjejmë se AK me rastin e vlerësimit dhe rishqyrtimit të tyre të këtij aktivitetit të prokurimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 7, neni 1, neni 6, nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet më tej në ankesën e tyre.

Operatori “Botek” po ashtu ka thënë se MASh ka eliminuar nga gara operatorin më të lirë dhe ka përzgjedhur operatorin më të shtrenjtë.

“AK si kriteret të saj për dhënien e kontratës është përcaktuar për tenderin e përgjegjshëm me çmim më të ulët ashtu siç e parasheh neni 52 të LPP, por në praktik është e kundërta me veprimet e saja AK e eliminon ofertën përgjegjshme me çmim më të ulët (823,500 euro apo 165 euro/copë) dhe propozon për kontratë një ofertë tej mase më të lartë 1,139,400 euro apo 227 euro/copë, rrjedhimisht 38% më të lartë…” thuhet më tej në ankesën e Botek.

Kompania Botek pretendon se edhe OE i rekomanduar për kontratë nuk i plotëson të gjitha kërkesat që dalin nga Dosja e Tenderit.

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.