Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës në korrik të këtij viti ka rrëzuar aktakuzën ndaj Sami Kurteshit për sulm në zyret e KQZ-së

Prokurorisë Themelore të Prishtinës i është rrëzuar aktakuza ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, i akuzuar për sulm në zyret e KQZ-së ndaj një personi për mosvendosje të maskës, si masë anti-Covid.

Aktakuza ndaj Kurteshit ishte ngritur më 20 dhjetor të vitit 2021. Kurteshi në një prononcim për KALLXO.com në atë kohë kishte mohuar të ketë sulmuar dikë.

Rrëzimi i aktakuzës është bërë nga Gjykata e shkallës së parë, me gjyqtar Sabit Sadikaj, duke i’u aprovuar kërkesa Kurteshit që aktakuza ndaj tij të hidhet, duke e konsideruar kështu kërkesën e të akuzuarit si të bazuar, me vendimin e datës 10 shtator të këtij viti.

“Hudhet poshtë aktakuza e datës 20.12.2021 për veprën penale ‘Sulm’, si dhe pushohet procedura penale ndaj të pandehurit. Aprovohet kërkesa e datës 09.05.2023, për hudhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-departamenti i përgjithshëm i datës 20.12.2021, e parashtruar nga i pandehuri Sami Kurteshi”- thuhet në vendimin e gjykatës, i siguruar nga KALLXO.com.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, Prokuroria ka paraqitur të drejtën për ankesë në Gjykatën e shkallës së dytë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 dhjetor të vitit 2021 kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Kurteshit për veprën penale të sulmit dhe për këtë çështje në seancën fillestare të mbajtur me datën 5 dhjetor 2022 palët ishin pajtuar që rasti të vazhdoj në procedurën e ndërmjetësimit, por që ndërmjetësimi nuk ishte arritur.

Në pamundësi të arritjes së ndërmjetësimit, gjykata ka vazhduar me gjykim të rregullt, Kurteshi në seancën fillestare 11 mars 2023 nuk e kishte pranuar fajësinë.

Pas kësaj, Kurteshi ka shfrytëzuar të drejtën për të kundërshtuar provat dhe për të paraqitur kërkesën për hedhje të aktakuzës me arsyen se vepra për të cilën ngarkohet i njëjti nuk përbën vepër penale.

“Për shkak se vepra penale për të cilën ngarkohet sipas aktakuzës nuk përbën vepër penale, si dhe ka theksuar se deklarata të cilën i kanë dhënë dëshmitarët në aktakuzë, janë të pa vërteta dhe gënjeshtra, pasi që nuk mundë të vërtetohet asnjë element i veprës penale për të cilën akuzohej”- thotë vendimi i gjykatës.

Tutje, në kundërshtimin e aktakuzës nga Kurteshi ka theksua se nuk ka prova me të cilat do të vërtetohet në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendja faktike për të cilën akuzohet, as nga ndonjë provë e as nga ndonjë deklaratë e dëshmitarëve nga të cilat nuk specifikohet mirë dhe qartë se është kryer vepra.

Lidhur me këtë kërkesë për hedhje të aktakuzës, pretendimet e tyre i ka paraqitur edhe Prokuroria.

Ndërsa gjyqtari i vetëm gjykues, Sabit Sadikaj me vendimin e datës 10 shtator 2023, ka aprovuar kërkesën për hedhje të aktakuzës nga i pandehuri, Sami Kurteshi, me arsyen se në veprimet e të pandehurit nuk janë plotësuar elementet e veprës penale të sulmit.

“Gjykata me vëmendje ka vlerësuar pretendimet e te pandehurit në kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhjen e aktakuzës dhe ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe ka arritur në përfundim se duhet të hudhet aktakuza, sepse në veprimet e të pandehurit nuk janë plotësuar elementet e veprës penale “Sulm” nga neni 184 par.1 të KPRK-së”- thuhet tutje në vendim.

Sipas Gjykatës Themelore për të ekzistuar vepra penale e sulmit duhet të ekzistojë përdorimi i forcës, mirëpo forma me të cilën është kryer sulmi dhe përdorimi i forcës, nuk është arritur që të vërtetohet se në çfarë forme është përdorur forca.

Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk ka elementë të veprës penale për të cilën akuzohet Kurteshi sepse mungon lidhja kauzale në mes të veprimit dhe pasojës së shkaktuar.

Sipas Gjykatës, nuk ka qenë kontestuese se personi ka hyrë në selinë e KQZ-së e ka shërbyer me kafe të pandehurin dhe i pandehuri t’i ketë thënë që të vendos maskën gjatë shërbimit, mirëpo në ditën kritike të 25 gushtit të vitit 2021, kontestuese është përdorimi i forcës për të larguar të dëmtuarin nga salla. Gjykata ka theksuar se për veprat penale për të cilat nuk janë objekt i akuzës nuk mund të marrë rol akuzator.

Si përfundim gjykata ka vlerësuar se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të “Sulmit”, pasi që nuk është arritur të vërtetohet forca të cilën e ka përdorur i pandehuri Sami Kurteshi. Gjykata vlerëson se ka të bëjë me veprime të natyrës së kundërvajtjes.

Këto vlerësime të Gjykatës bazohen në deklaratat e dëshmitarëve të cekur në aktakuzë, deklarata të cilat veprimin e Kurteshit e shpien në nxitje ose pjesëmarrje në përleshje që dënohet me kundërvajtje.

“Andaj gjykata konform nenit 248 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të KPPK-së ka vendosur ta hedhë aktakuzën dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të pandehurit Sami Kurteshi”-thotë në fund vendimi.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, prokuroria ka paraqitur të drejtën për ankesë në Gjykatën e shkallës së dytë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

“Prokurori ka parashtruar ankesën ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 10.07.2023”- thuhet në përgjigjen e Arifit drejtuar KALLXO.com.